Gjuha

Udhëheqësi i njësisë së auditimit të brendshëm në Komunën e Obiliqit, Besnik Rama, përballej me një sfidë e cila rrezikonte integritetin e auditimit. Më konkretisht, procesi i mbledhjes dhe analizës së të dhënave për përgatitjen e dokumenteve cilësore të auditimit ishte jokonsistent. Analiza e paanshme e të dhënave është thelbësore për sigurimin e auditimeve financiare të drejta dhe të paanshme dhe është veçanërisht e rëndësishme për ruajtjen e besimit në proces. Kjo është jetike në komunat ku menaxhimi i fondeve ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Auditorët e brendshëm veprojnë si mbrojtës të transparencës, llogaridhënies dhe përdorimit efikas të burimeve. Për të qenë të efektshme, auditimet duhet të jenë të sakta, të paanshme dhe të plota.

Si pjesë e përkushtimit të tij ndaj nxitjes së bashkëpunimit në mes të komunave të Kosovës, aktiviteti i USAID-it Integriteti Komunal në Kosovë (KMI) lehtësoi një shkëmbim të ashtuquajtur “peer-to-peer” (në mes të të barabartëve). Besniku dhe ekipi i tij u angazhuan me auditorë nga Ministria e Shëndetësisë, duke shkëmbyer me ta njohuritë e fituara dhe praktikat më të mira. Mësimet e nxjerra u zbatuan për nevojat e komunës së Obiliqit, duke çuar në përmirësime praktike në proceset e auditimit.

Rezultati? Raportet e përmirësuara të auditimit të bazuara në të dhëna objektive, që mundësojnë identifikimin e hershëm të çështjeve që kanë të bëjnë me transparencë dhe llogaridhënie në Komunën e Obiliqit. Besniku gjithashtu i aplikoi këto mësime për të avancuar mbikëqyrjen e prokurimit dhe menaxhimit të kontratave, duke siguruar një shfrytëzim më transparent dhe të përgjegjshëm të fondeve publike.

Besniku theksoi se të mësuarit nga të tjerët e fuqizoi ekipin e tij për të punuar në mënyrë më të efektshme dhe të përgjegjshme në të mirën e komunitetit. Shembulli i tij nxjerr në pah rëndësinë e trajnimit të shënjestruar dhe bashkëpunimit. Si rezultat i mbështetjes së USAID-it, komunat si Obiliqi janë më të përgatitura për t'u shërbyer qytetarëve të tyre falë shkëmbimit të përvojave dhe njohurive praktike. Ky është vetëm një shembull i shumë nismave të USAID-it që promovojnë shkëmbim të njohurive dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike anembanë Kosovës.

Image
Shkëmbimi lokal i njohurive ndihmon mbështetjen e llogaridhënies komunale
Besnik Rama, udhëheqësi i njësisë së auditimit të brendshëm në Komunën e Obiliqit, përballej me një sfidë e cila rrezikonte integritetin e auditimit.
DAI për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories