Gjuha


Si pjesë e përkushtimit të tij ndaj nxitjes së zhvillimit profesional tek individët e rinj, USAID-i po lehtëson kryerjen e praktikave profesionale nga ana e të rinjve nëpër biznese lokale. Adis Vishi, një 19-vjeçar nga komuna e Kaçanikut, rishtazi përfundoi një praktikë profesionale në BONEVET në Kaçanik, kompani kjo e punëtorive të llojit “makerspace” e përkushtuar ndaj fuqizimit të të rinjve përmes të mësuarit dixhital. Interesimi i Adisit për fushën e marketingut dixhital u ndez kur shfrytëzoi një nga mundësitë e ofruara në komunën e tij përmes aktivitetit të USAID-it U Takon të Rinjve (Up to Youth).

Gjatë praktikës profesionale të tij, Adisi fitoi shkathtësi të paçmueshme jetësore dhe të ashtuquajtura “të buta,” si komunikimi efektiv, puna ekipore dhe lidershipi. Ai morri pjesë aktive në sesione të ndryshme trajnimi, duke përfshirë trajnimin në komunikim, dizajnim të nismave, monitorim dhe vlerësim, dhe orientim të karrierës, të cilat luajtën një rol vendimtar në zhvillimin e shkathtësive thelbësore të punës që do t’i hapnin rrugën për mundësitë e ardhshme. Si rezultat i mendësisë së tij të orientuar drejt karrierës dhe njohurive të fituara gjatë praktikës profesionale, Adisi siguroi një vend pune me orar të plotë si menaxher i llogarive në “The Dot Agency,” një kompani e marketingut dixhital me seli në Prishtinë.

"Praktika profesionale në BONEVET të Kaçanikut i rriti jashtëzakonisht gjasat që unë të punësohesha. Krahas fitimit të përvojës së vlefshme gjatë kohës që kalova aty, unë arrita që ta pasuroj CV-në time me trajnimin e përfunduar, gjë që rezultoi me një profil më të kompletuar."

Adisi ka marrë pjesë në aktivitetin e USAID-it U Takon të Rinjve që nga fundi i vitit 2020, ndërsa aktualisht është student i drejtësisë dhe punon njëkohësisht me orar të plotë në “The Dot Agency” në Prishtinë. Ky aktivitet i USAID-it mbështeti më shumë se 60 të rinj nga nëntë komuna të ndryshme të Kosovës, duke u mundësuar atyre përfundimin e praktikës profesionale në biznese vendore.

 

Image
Praktikat profesionale po i pajisin të rinjtë kosovarë me shkathtësi dhe njohuri për punësim
Interesimi i Adisit për fushën e marketingut dixhital u ndez kur shfrytëzoi një nga mundësitë e ofruara në komunën e tij përmes aktivitetit të USAID-it U Takon të Rinjve (Up to Youth).
Glloball Komjunitiz për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories