Gjuha

Në përpjekje për t’i bërë gjykatat e Kosovës më të arritshme për qytetarët, Këshilli Gjyqësor i Kosovës lansoi në faqen e vet të internetit një mjet që ia bën të mundur qytetarëve të Kosovës të llogarisin koston e taksave gjyqësore dhe gjobave penale pa u larguar nga shtëpia. Mbështetja për këtë inovacion erdhi përmes veprimeve ndërmjet disa agjencive, me kontribut nga Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), Zyra e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së për Zhvillimin Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT) dhe Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL).

Kalkulatorët novatorë dhe të lehtë për t’u përdorur përfshijnë kostot për taksat gjyqësore dhe gjobat penale. Kalkulatori i taksave gjyqësore, i krijuar nga USAID përmes JSSP, ndihmon qytetarët që të parashikojnë taksat për lëndët civile me vetëm disa klikime, duke eliminuar nevojën për t’u varur nga avokati për njohjen e kostove.  Kalkulatori i gjobave penale, i sponsorizuar nga INL dhe OPDAT, shërben si mjet ndihmës për gjyqtarët për të përcaktuar gjobat penale në bazë të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme të adoptuar së fundmi dhe në pajtim me dispozitat e Kodit Penal. Kjo gjithashtu u mundëson qytetarëve të kuptojnë metodologjinë që gjyqtarët përdorin për shqiptimin e gjobave.

Kalkulatorët bëjnë pjesë në një sërë mjetesh të disponueshme në uebsajtin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të krijuara nga Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë për të rritur transparencën gjyqësore dhe qasjen e qytetarëve në drejtësi. Mjetet e tjera në uebsajtin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës përfshijnë bazën e të dhënave të aktgjykimeve nga gjykatat, anketat e drejtpërdrejta me përdoruesit e gjykatave, ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe pasqyrën e performancës së gjyqësorit. Të gjitha mjetet së bashku i dalin ndesh nevojës së madhe për avancim të novacionit dhe teknologjisë në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjë që do të kontribuojë pozitivisht në besimin e publikut në gjykata. Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë është aktivitet pesëvjeçar në fushën e sundimit të ligjit që përqendrohet në promovimin e një sistemi gjyqësor që respekton standardet e larta të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës.

 

Image
Gjykatat e Kosovës rrisin qasjen dhe transparencën përmes lansimit të kalkulatorëve onllajn
Pamja e veb faqes e cila tregon qasjen në shërbimet e taksës së gjykatave
USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories