Gjuha

Friday, September 23, 2022

Gjetja e vlerave, shqetësimeve dhe interesimeve të përbashkëta është hapi i parë drejt pajtimit në mes të njerëzve me sfonde të ndryshme etnike dhe fetare. Ndërtimi i Komunitetit Mitrovicë (CBM), një organizatë joqeveritare lokale dhe partner i USAID-it, ka prezantuar të ashtuquajturit Rrathë të Kohezionit -- grupe të qytetarëve aktivë nga komunitete të ndryshme etnike të cilët mblidhen së bashku për të identifikuar çështje ose mundësi me qëllim që të ndihmojnë në përmirësimin e jetës në kuadër të komuniteteve të tyre, duke krijuar njëkohësisht ura lidhëse që i tejkalojnë ndasitë kulturore dhe fetare.

Pjesmarrja në Rrathët e Kohezionit është veçanërisht e dobishme për rininë multikulturore të Kosovës. Kjo pjesmarrje i inkurajon të rinjtë që të provojnë gjëra të reja dhe krijojnë marrëdhënie të reja me njerëz me të cilët diçka e tillë do të kishte shumë pak gjasa të ndodhte në rrethana të zakonshme, gjë që pasuron përditshmërinë e tyre dhe ka efekt shërues ndaj pasojave të së shkuarës. “Ndasitë në vija etnike sfidojnë më së shumti të rinjtë. Ka aq shumë mundësi në Kosovë, por si rrjedhojë e frikës, të rinjtë humbasin rastet për t'i shfrytëzuar. Së pari, për t'i eksploruar ato mundësi dhe për t'u lidhur me bashkëmoshatarët e tyre nga komunitetet e ndryshme, me qëllim të mësimit nga njëri-tjetri, por edhe për të mundur frikën e vizitës në qytetet fqinje ku do të mund të eksploronin vetë,” thotë Ardian Ndrecaj, antar i Grupit të Prishtinës të Rrethit të Kohezionit.

Rishtazi, grupi organizoi një aktivitet të bjeshkatarisë. Meqë për shumë nga pjesmarrësit kjo ishte përvoja e parë në bjeshkatari, entuziazmi dhe pritshmëritë lehtësuan bisedën në mes tyre; shkëmbimet e ndërsjella lidhur me rrugën malore që duhej vijuar dhe këshillat e sigurisë që ndanin në mes veti u ndihmuan atyre të lidheshin dhe lehtësuan gjetjen e guximit për të provuar diçka duke dalë jashtë zonës së rehatisë.

Milica Jakovleviq, menaxhuesja e programit në CBM, beson se duke eksploruar së bashku mundësitë e bollshme që ofron Kosova, qytetarët e ndarë të saj do të mësojnë më shumë mbi njëri-tjetrin dhe vendin e tyre të përbashkët. "Duhet aq pak përpjekje," reflekton Milica, "që të ketë ndryshim të madh."

 

Image
NISMAT LOKALE FORCOJNË LIDHJET DHE LEHTËSOJNË PAJTIMIN
Aktivitetet si këto ndihmojn krijimin e raporteve shoqërore dhe rrugën drejt pajtimit
CBM për USAIDKosovë
Share This Page