Gjuha

 

Afërdita Beka është drejtoreshë e një shkolle publike dhe nënë e dy fëmijëve, e cila punon në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë. Shkolla me të cilën udhëheq Afërdita ka infrastrukturë të dobët, përkundër faktit se është ndërtuar para pak vitesh. Ajo përballet me një sfidë shtesë që ka të bëj me atë se shumë familje po tërheqin fëmijët e tyre të moshës parashkollore nga shkolla për shkak të pagesës së detyrueshme mujore për të vijuar mësimin. Afërdita, së bashku me prindërit dhe mësimdhënësit, u përpoqën pa sukses të kërkonin ndryshime gjatë kohës që shkolla po ndërtohej. Drejtorët e shkollave publike si Afërdita kishin mundësi shumë të kufizuara që të siguronin ndihmë në situata të tilla, para se aktiviteti i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM), përmes nënkontraktuesit të tij Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), të fuste në përdorim një mekanizëm të ri për informata kthyese dhe llogaridhënie komunale.

 GSJP punoi me komunitetin për të mbledhur një grup qytetarësh të interesuar të moshave dhe profesioneve  të ndryshme, duke përfshirë drejtorë shkollash, mësimdhënës dhe prindër, për të kërkuar llogaridhënie përmes përdorimit të metodologjisë së auditimit social. Grupi bashkoi forcat për t’i bërë një inspektim të hollësishëm  shkollës me qëllim të regjistrimit të shqetësimeve dhe problemeve të veçanta rreth saj. Gjatë këtij procesi, ekipi i auditimit social listoi një sërë rekomandimesh për komunën për të përmirësuar shkollën e ndërtuar rishtazi. Ekipi rekomandoi përmirësime në drejtim të adresimit të rreziqeve ndaj sigurisë, qasjes më të lehtë në shkollë dhe kërkoi që komuna të sigurojë fonde të mjaftueshme për shërbimet parashkollore me qëllim të parandalimit të braktisjes së shkollës për shkak të pagesës mujore.

"Kjo nismë ka fituar njohje të gjerësishme meqë avancon transparencën e qeverive lokale dhe promovon llogaridhënien e zyrtarëve komunal," thotë Njomza Arifi, menaxhuese e programit në GSJP. Për më tepër, kjo nismë inkurajon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në mbikëqyrjen e punës dhe marrjes së vendimeve mbi shërbimet që ata shfrytëzojnë. Pas takimit me ekipin e auditimit social, komuna filloi adresimin e rekomandimeve të pranuara nga ekipi në Pantine dhe ekipet nga shkollat tjera në komunë.

Dy vjet më pas, shkollat janë të pajisura me masa adekuate të sigurisë, oborre sportive dhe hapësira rekreative që janë në dispozicion të nxënësve. Kryetari i komunës gjithashtu adresoi çështjen e fëmijëve parashkollor dhe ndau mjete financiare  për arsimin parashkollor. "Adresimi i çështjes së fëmijëve parashkollor jo vetëm që i ktheu fëmijët në shkolla, por shmangu shtresëzimet sociale në mes të fëmijëve dhe krijoi mundësi të reja punësimi  për mësimdhënësit," tha Kryetari i Komunës së Vushtrrisë.

Aktiviteti i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) ka pilotuar përdorimin e instrumenteve të llogaridhënies sociale si auditimi social në komunat e Prishtinës dhe Vushtrrisë. Pas informatave kthyese pozitive, si nga qytetarët ashtu edhe autoritetet komunale, nisma u zgjërua në tri komuna shtesë (Gjakovë, Gjilan dhe Pejë) ndërsa planifikon t’i vazhdojë auditimet ssociale edhe në komuna tjera.

 

Image
Auditimi Social Çon te përmirësimet në infrastrukturën shkollore
Afërdita Beka drejtore e shkollës në Vushtrri
USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories