Gjuha

 

Identifikimi dhe raportimi i korrupsionit shpesh perceptohet si i vështirë e ndonjëherë edhe i pamundur. Partneriteti i lidhur rishtazi në mes të aktivitetit të USAID-it Integriteti Komunal në Kosovë dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) synon që t’i fuqizojë gazetarët e rinj hulumtues duke i mësuar ata se si të zbulojnë dhe ekspozojnë korrupsionin në financa publike dhe procese të prokurimit.

 Gjatë katër ditëve intensive, 20 gazetarë të talentuar që përfaqësonin 13 medie kosovare, patën mundësinë të angazhoheshin në aktivitete të dizajnuara për t’ua avancuar shkathtësitë hulumtuese. Programi përfshinte diskutime me institucionet kombëtare të mbikëqyrjes së prokurimit si Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Prokuroria e Shtetit. Gjatë këtyre diskutimeve, gazetarët fituan njohuri shtesë mbi proceset e prokurimit, gjë e cila u mundëson atyre një të kuptuar më të thellësishëm lidhur me çështjet në fjalë.

 Programi doli të ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, meqë gazetarët tani janë më të përgatitur për të zhvilluar hulumtime më të thelluara. I befasuar këndshëm nga programi, gazetari i RTV Dukagjinit Liridion Llozani tha: “Shpresoj që njohuritë e fituara do të më japin përparësi ndaj gazetarëve tjerë në redaksinë ku punoj, si dhe ndaj gazetarëve të medieve tjera.” Mirënjohëse për programin u shpreh edhe gazetarja e Koha Group, Rinesa Qorri, e cila tha se njohuritë e marra do t'i shfrytëzojë për të qenë një gazetare më e sofistikuar, duke identifikuar keqmenaxhimin qoftë në komuna apo në nivelin qëndror.

 Në kuadër të programit, gazetarët vizituan zyrën e prokurimit në Komunën e Gjilanit dhe dolën dy herë në terren ku vizituan projekte të ndryshme për të mësuar më shumë rreth menaxhimit të kontratave. Kjo përvojë praktike ishte një mundësi unike për ta që të mësojnë se si funksionojnë proceset e prokurimit në praktikë dhe si t’i identifikojnë fushat me potencial për korrupsion. Nuk ka dyshim se ky program do të ushtrojë ndikim në peizazhin mediatik të Kosovës, përmes një gjenerate të re gazetarësh që janë më mirë të përgatitur për të ekspozuar korrupsionin dhe promovuar transparencën.

 Tani që lufta kundër korrupsionit në Kosovë po merr vrull, mbështetja e USAID-it në fuqizimin e gazetarëve të rinj për t’i kontribuar ndërtimit të një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë duke marrë rol aktiv në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në prokurim publik, ngjallë shpresë për një të ardhme më të ndritshme për qytetarët e vendit.

 

 

Image
Fuqizimi i gazetarëve të rinj hulumtues për të ekspozuar korrupsionin në prokurim publik në Kosovë
Gazetarët hulumtues gjatë vizitës në teren
DAI për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories