Gjuha

Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit (IBCM) në Mitrovicë po i qaset punës ndryshe - dhe atë me sukses. Si institucioni arsimor i vetëm multietnik në qytetin verior të Mitrovicës në Kosovë, ai ofron njëkohësisht arsim universitar dhe vendtakim për studentë me prejardhje të ndryshme, ku ata mund të njihen dhe mësojnë së bashku. Kjo është një qasje e ndryshme për studentët që rriten në një qytet të ndarë përgjatë linjave etnike, ku nuk është fare e lehtë t'i shpëtosh ekspozimit ndaj paragjykimeve kundrejt grupeve të tjera etnike.

Jelena Gjokiq, profesoreshë dhe drejtoreshë akademike pranë IBCM-së, i mëson studentët e saj se si të arrijnë mirëkuptim të ndërsjellë, të identifikojnë vlera të ngjashme dhe të krijojnë një vizion të përbashkët për të ardhmen – krahas arsimimit të tyre. Kur filloi të punonte për herë të parë në IBCM, Jelena, si një serbe e Kosovës, e dinte se do të ballafaqohej me një punë sfiduese, por ajo ishte e apasionuar pas misionit të IBCM-së për të rekrutuar të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të investuar në ndihmën dhënë atyre që të tejkalojnë barrën e narrativave të së kaluarës. Megjithëse Jelena kishte edhe përvojë personale me stigmat dhe paragjykimet, këmbngulësia dhe durimi i saj u bënë shembulltyrë për studentët e saj. Me kalimin e kohës, ata filluan të gëzojnë të gjitha përfitimet e një arsimimi multikulturor. “Ishte e vështirë në fillim, por ne vazhduam të punojmë pa u ndalur dhe tani studentët kanë pajtueshmëri shumë të mirë me njëri-tjetrin përkundër faktit se u takojnë etnive të ndryshme,” thotë Jelena.

Mihone Kerolli Mustafa, gjithashtu profesoreshë dhe drejtoreshë në kolegjin IBCM, ndan të njëjtin përkushtim dhe pasion si Jelena ndaj bashkimit të të rinjve nga secili komunitet etnik në Kosovë. Mihonja, një shqiptare e Kosovës, gjithashtu kishte përvojë me presionet shoqërore me të cilat përballej Jelena dhe, mu sikurse ajo, nuk u dorëzua ndaj tyre. Krenare për rezultatet e përpjekjeve të saj, Mihonja theksoi se “studentët janë të kënaqur dhe studiojnë së bashku për t’i përfunduar studimet në mënyrën më të mirë të mundshme.”

Duke filluar si kolege të cilat ndanin të njëjtat besime dhe shpresa, marrëdhënia kolegiale e Mihonës dhe Jelenës shpejt u shndërrua në një miqësi të fortë me besim të ndërsjellë. Që të dyjat thonë se janë në gjendje ta shfrytëzojnë marrëdhënien e tyre miqësore si një mjet shtesë për t’i inkurajuar studentët e IBCM-së që të çlirohen nga modelet e rrënjosura dhe të ndërtojnë miqësi me të tjerët pavarësisht nga ndasitë historike. Mihonja dhe Jelena folën në një ngjarje rrëfimesh të mbështetur nga USAID-i, e cila synoi t’i prezentonte shtigjet e shumta që janë në dispozicion për kultivimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërtimin e paqes tek brezat e rinj.

 

Image
Profesorët e kolegjit multietnik inkorporojnë shkathtësitë e pajtimit në arsimin akademik për gjeneratën e ardhshme
Mihone dhe Jelena gjatë sesionit Rrefimi Yt
IBCM për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories