Gjuha

 

Viteve të fundit, sektori privat i Kosovës është angazhuar gjithnjë e më shumë në praktika të qëndrueshme mjedisore, duke i’u bashkëngjitur lëvizjes globale drejt një mjedisi më të pastër dhe të shëndetshëm. Festivali i Gjelbër i Kosovës, i themeluar nga USAID-i në vitin 2016, dhe tani i udhëhequr nga sektori privat, ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e teknologjive të gjelbra dhe prodhimin e materialeve të qëndrueshme, duke mbështetur njëkohësisht bizneset e gjelbra në krijimin e lidhjeve të tregut dhe rritjen e shitjeve.

Ky festival është shndërruar në ngjarjen më të madhe të energjisë së gjelbër në vend, duke rritur ndërgjegjësimin dhe interesimin për riciklim, energji të ripërtëritshme dhe efiçencë energjetike. Një prurje e madhe e ndërmarrjeve të reja të themeluara në Kosovë, që mbështeten nga USAID-i, po angazhohen në aktivitete të cilat e lehtësojnë problemin e ndjeshëm të mbeturinave që ka vendi dhe i kontribuojnë ekonomisë rrethore.

Njëra nga këto kompani është REKS. E themeluar në vitin 2017 përmes një bashkë-investimi të investitorëve kosovarë dhe holandezë, kjo kompani mbledh mbeturina plastike dhe aplikon teknologji dhe procese të avancuara për të prodhuar granulate të ricikluara, të cilat më pas përdoren për prodhimin e produkteve plastike siç janë qeset e plehrave. Kompania ka në plan të përpunojë deri në 22,000 tonë metrik të mbeturinave plastike në Kosovë, gjë e cila do ta bënte atë një nga furnizuesit kryesorë të granulateve të ricikluara në tregjet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo është një mundësi e mirë për ndërmarrjet e mëdha siç janë zinxhirët e supermarketeve, për t'i shndërruar mbeturinat e tyre plastike në produkte të përdorshme, siç janë qeset plastike të ricikluara, duke zvogëluar njëkohësisht dëmtimin e mjedisit. REKS-i eksporton pjesën më të madhe të granulateve të ricikluara të tij në Holandë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Kjo kompani u mbështet nga USAID-i në trajnimin e personelit të ri për zgjërimin e veprimtarisë afariste të saj. Ajo rishtazi rriti personelin e saj për 126 përqind në 170 të punësuar.

Suksesi dhe popullariteti i vazhdueshëm i Festivalit të Gjelbër të Kosovës, si dhe numri në rritje i bizneseve të gjelbërta të suksesshme në Kosovë, janë tregues të rolit prijës që ka sektori privat në përparimin drejt një Kosove më të gjelbër. Këto kompani të gjelbra të sapodala jo vetëm që po e mbrojnë mjedisin, por ato gjithashtu po e forcojnë ekonominë, duke krijuar qindra vende të punës dhe rritur eksportet.

 

 

Image
Sektori privat udhëheq përparimin drejt një Kosove më të gjelbër
Për një ambient të gjelbërt
USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories