Gjuha

 

Nxënësit dhe mësimdhënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë po tregojnë kreativitet, shkathtësi në zgjidhje të problemeve dhe punë të mirë ekipore, duke e rimenduar njëkohësisht të ardhmen nga aspekti i qëndrueshmërisë. Me shkathtësitë e fituara gjatë aktivitetit të USAID-it Mbështetja e Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt, nxënësit kanë ridestinuar mobiljet e vjetra prej druri për krijimin e materialeve të reja mësimore në shkollën e tyre, të tilla si tabela e sistemit periodik te elementeve, rrethi trigonometrik dhe një orë.

Për të krijuar tabelën e sistemit periodik të elementeve me madhësi muri, mësimdhënësit dhe nxënësit përdorën hapsirën kreative Makerspace dhe pajisjet e financuara nga USAID-i në shkollën e tyre për të vendosur lidhje në mes parimeve shkencore dhe të mësuarit e bazuar në projekte. Aktivitetet e tilla mësimore u ofrojnë mundësi nxënësve për të fituar shkathtësi praktike në projekte ndërkurrikulare dhe e inkurajojnë tek ata të menduarit përtej normës, duke zhvilluar njëkohësisht shkathtësitë tejet të nevojshme të zgjidhjes së problemeve. Zana Vokshi-Meqa, një mësimdhënëse dhe facilitatore e shkollës në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, tha se "përdorimi i drurit të ricikluar, nga tavolinat dhe karriget e shkollës që janë jashtë përdorimit, për të krijuar materiale të reja shkollore është gjithashtu edhe një mënyrë ideale për të rritur ndërgjegjësimin mjedisor." Zana shpjegoi se prindërit dhe anëtarët e komunitetit gjithashtu kanë kontribuar në zbatimin e këtyre aktiviteteve duke dhuruar mobilje të vjetra që nuk i përdorin më.

Kjo qasje ndaj zgjidhjes së problemeve lokale e bashkoi komunitetin për të riimagjinuar hapësirën shkollore, përforcuar përgjegjësinë lokale dhe gjeneruar përfitime për nxënësit dhe komunitetin e shkollës. Erlis Batusha, një nxënës i përfshirë në këtë aktivitet, tha se me "punë të palodhur, durim dhe shpresë, kemi arritur qëllimin tonë që t’i krijojmë materialet e nevojshme për ta bërë mësimin sa më tërheqës." Suksesi i nxënësve dhe mësimdhënësve të Gjimnazit “Hajdar Dushi” është një përkujtues i mirë i rëndësisë që ka të mësuarit e shkathtësive të zgjidhjes së problemeve por edhe të paturit e hapsirës dhe pajisjeve në shkolla ku nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe pjestarët tjerë të komunitetit mund të punojnë së bashku në riimagjinimin e së ardhmës duke adresuar njëkohësisht problemet lokale - në këtë rast, duke krijuar mjete shkollore shumë të nevojshme përmes materialeve të ricikluara.

 

 

Image
Gjimnazistët riciklojnë mobiljet prej druri për të krijuar materiale të reja mësimore
Me ndihmën e USAID-it, nxënësit kanë ridestinuar mobiljet e vjetra prej druri për krijimin e materialeve të reja mësimore në shkollën e tyre
USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories