Gjuha

 

Drilon Rexhepi, student i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ishte i vendosur që të bëhej emër i njohur në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Në vitin 2016, puna e tij e palodhur u shpagua pasi fitoi vendin e parë në Garën e Dizajnit Studentor më të Mirë në kuadër të Konventës së Industrisë së Drurit të Kosovës, të cilën e mbështeti USAID-i. Gjashtë vjet më vonë, në edicionin e pestë të Konventës së Industrisë së Drurit, Driloni morri pjesë si kryeshef ekzekutiv i kompanisë së tij të përpunimit të drurit EFD, njërit nga 21 ekspozuesve të Konventës.

Organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, me mbështetjen e USAID-it, Konventa shërben si një platformë rrjetëzimi për studentët, prodhuesit, blerësit ndërkombëtarë dhe palët e tjera të interesuara të industrisë, dhe ekspozon dizajnet dhe produktet më të fundit të prodhuesve vendorë. Gara e Dizajnit Studentor më të Mirë është bërë një komponent kyç i Konventës, ndërsa interesimi për të marrë pjesë në të rritet çdo vit. Gjatë Konventës së fundit, të mbajtur në dhjetor të vitit 2022, 40 studentë prezantuan punimet e tyre.

Përmes pjesmarrjes së tij në edicionet e kaluara të Konventës, Driloni identifikoi një kërkesë të papërmbushur në treg për elementë të ndryshëm metalikë që do t’i komplementonin mobiljet prej druri të prodhuara nga prodhuesit vendorë. Për të përmbushur këtë kërkesë, krahas prodhimit të linjës së tij të mobiljeve prej druri, Driloni filloi të prodhojë për industrinë e drurit në Kosovë elemente metalike të cilat më parë importoheshin. Kompanitë vendore të përpunimit të drurit po i përdorin këto elemente në mobiljet e tyre, të cilat më pas i eksportojnë në tregjet ndërkombëtare.

Tregimi i Drilonit është një dëshmi e mundësisë që Konventa vjetore e Industrisë së Drurit dhe Gara e Dizajnit Studentor më të Mirë u ofrojnë të rinjve për të mësuar mbi kërkesat e tregut dhe trendet më të fundit në industri, si dhe për t'u angazhuar në shkëmbim të njohurive dhe shfrytëzuar rastet për të vendosur lidhje me liderët e industrisë. Aktiviteti i USAID-it Garo (Compete) në Kosovë mbështeti edicionin e pestë të Konventës së Industrisë së Drurit me qëllim të promovimit të sektorit të përpunimit të drurit në Kosovë dhe krijimit të lidhjeve ndërmjet ndërmarrjeve, fuqisë punëtore dhe institucioneve, si dhe rritjes së eksporteve dhe konkurueshmërisë së industrisë.

 

Image
Nga garuesi në ndërmarrës: Konventa e industrisë së drurit u ofron mundësi të rinjve të Kosovës
Drilon Rexhepi, dikur student tani ndërmarrës i suksesshëm në fushën e arkitekturës dhe dizajnit
DT Glloball për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories