Gjuha

 

 

Royal Beverage, një kompani e madhe e pijeve freskuese dhe joalkoolike në Gjilan e cila prodhon pijen freskuese të brendit tradicional amerikan RC Cola, rishtazi ka instaluar panele diellore si rezultat i drejtpërdrejtë i lidhjeve të tregut të mundësuara përmes aktivitetit të USAID-it Siguria e Furnizimit me Energji në Kosovë. Kjo kompani po ndjek trendin e shfrytëzimit të energjisë diellore i cili po merr hov në mjedisin afarist në Kosovë.

Në bashkëpunim me operatorët lokalë të dronëve dhe analistët hapsinorë, USAID-i po ndihmon në identifikimin e mundësive për shfrytëzimin e sipërfaqeve të çative anembanë Kosovës për gjenerim të energjisë elektrike me qëllim të përmbushjes së kërkesës në rritje. Një studim tregu i USAID-it i zhvilluar në vitin 2021 tregoi potencialin për një varg prjektesh diellore të shkallës së vogël i cili do të mund të prodhonte mbi 250 MW deri në vitin 2030. Duke vënë theksin në panelet diellore fotovoltaike mbi sipërfaqet e çative dhe duke identifikuar mundësitë e instalimit me një kthim të mirë nga investimi, USAID-i po i katalizon kontributet e sektorit privat ndaj lehtësimit të mungesës akute të energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, sapo bizneset dhe komunitetet t’i mësojnë përfitimet nga instalimi i teknologjisë diellore, USAID-i është i gatshëm t'i lidhë ato me prodhues të ndryshëm vendorë të paneleve diellore në mënyrë që të mund t’i eksplorojnë opsionet.

Është gjithashtu e rëndësishme që kompanitë si Royal Beverage janë në kërkim të teknologjisë diellore të prodhuar nga ndërmarrjet vendore siç është Jaha Solar, kompani kjo private e energjisë së rinpërtritshme që shet, dizajnon dhe instalon sisteme fotovoltaike në Kosovë.

"USAID-i ndihmoi për të bërë këtë të mundur përmes Forumeve Solare të tij dhe studimeve të fizibilitetit që po rrisin ndërgjegjësimin e bizneseve mbi rëndësinë e pavarësisë energjetike, uljen e kostove dhe përfitimet mjedisore nga shfrytëzimi i energjisë diellore," tha Zanfina Kabashi, Udhëheqësja e Shitjes në Jaha Solar. Në gusht, Jaha përfundoi instalimin e kapacitetit gjenerues nga energjia diellore prej 720,9 kWh në Royal Beverages. Ky investim jo vetëm që siguron ulje të kostos, por i kontribuon gjithashtu pavarësisë dhe sigurisë së furnizimit. Këto përfitime ishin faktorë madhor në marrjen e vendimit nga ana e Royal Beverage për të instaluar kapacitete të energjisë diellore.

"Meqë Royal Beverage shfrytëzon sasi të madhe të energjisë elektrike për mbushjen e shisheve, ne, bazuar në studimin e fizibilitetit dhe analizën e mundësuar nga USAID-i, ishim në gjendje të parashihnim kthimin nga investimi në instalimin e paneleve diellore fotovoltaike. Rreth 30 për qind e energjisë sonë tani gjenerohet nga panelet e reja diellore, që është një kursim i konsiderueshëm për ne,” tha Donika Mustafa, Menaxhere e Kontrollit të Cilësisë në Royal Beverage.

Investimi i kompanisë Royal Beverage në panele diellore fotovoltaike për afarizmin e saj është rezultat i drejtpërdrejtë i momentumit që po gjeneron USAID-i përmes vlerësimeve për instalim të sistemeve fotovoltaike mbi çati. Duke ofruar qasje në studime të fizibilitetit dhe një të kuptuar më të mirë të levërdisë ekonomike nga instalimi i kapacitete të energjisë diellore, USAID-i po promovon qasjen e udhëhequr nga tregu në burime të energjisë së ripërtritshme me kosto efektive dhe të dekarbonizuara që kanë arsyeshmëri ekonomike për bizneset dhe komunitetet anembanë Kosovës.

Image
Katalizimi i adoptimit të teknologjisë diellore të udhëhequr nga tregu në Kosovë
Royal Beverage, një kompani e madhe e pijeve freskuese dhe joalkoolike në Gjilan po ndjek trendin e shfrytëzimit të energjisë diellore i cili po merr hov në mjedisin afarist në Kosovë.
DT Global për USAID Kosovë
Tags
Kosovo Stories