Gjuha


Ishte pasioni për ndërmarrësi dhe aspiratat e përbashkëta që krijuan miqësi në mes katër të rinjve nga zona të ndryshme rurale të Kosovës. Më heret gjatë këtij viti, Gentian Krasniqi, Etnik Dula, Shkelzen Ibishi dhe Albion Saraqi, realizuan vizionin e tyre të përbashkët për krijimin e “Produkte Fresh,” një platforme të re dixhitale e cila po transformon afarizmin e fermerëve vendor.

Rrugëtimi i tyre i përbashkët filloi gjatë pjesëmarrjes në Shkollën e Ndërmarrësisë të mbështetur nga USAID-i. Në atë kohë, këta të rinj ishin krejtësisht të panjohur për njëri-tjetrin dhe secili prej tyre ushqente ëndrrën vetanake për të ardhmen. Megjithatë, diskutimet deri vonë në mbrëmje dhe shkëmbimet e njohurive çuan gradualisht deri tek bashkimi i vizioneve të tyre individuale në një koncept të vetëm transformues për një platformë e cila u quajt “Produkte Fresh.”

Duke u mbështetur në sfondet dhe përvojat e tyre paraprake të ndryshme, ata dolën me vizionin e një tregu dixhital ku fermerët vendor do të mund t’i ekspozonin produktet e tyre drejtpërdrejt për konsumatorët. Shkelzeni, me njohuritë e tij nga dora e parë mbi sektorin e bujqësisë, luajti një rol kyç në formësimin e funksionalitetit të platformës duke shkëmbyer njohuritë e tij të paçmueshme mbi vështirësitë me të cilat përballen fermerët në Mitrovicë. Gentiani, Etniku dhe Albioni më pas kontribuan, me shkathtësitë e tyre përkatëse në zhvillim të uebit, zhvillim të biznesit dhe udhëheqje të operacioneve, në lançimin e kësaj nisme për të ndihmuar komunitetet bujqësore në vend.

Gjatë formësimit të platformës, përfshirja e tyre në aktivitetin e USAID-it U Takon të Rinjve (Up to Youth) u ofroi këtyre katër të rinjve mundësi jo vetëm për zhvillim profesional por edhe për rritje personale. Përmes mentorimeve dhe trajnimeve, ata avancuan shkathtësitë e tyre ndërmarrëse dhe fituan një të kuptuar më të thellësishëm të dinamikës së tregut.

Pas lançimit të saj më 24 janar 2024, platfrma Produkte Fresh fitoi shpejt popullaritet. Brenda vetëm disa javësh u regjistruan mbi 15 fermerë, duke ofruar më shumë se 55 produkte të ndryshme për klientët e interesuar. Informatat kthyese pozitive që filluan të arrinin ishin dëshmi e efikasitetit të platformës në lidhjen e konsumatorëve me mallrat e freskëta me origjinë vendore.

Duke shikuar drejt së ardhmes, ekipi planifikon zgjerimin e Produkte Fresh në një nyje qëndrore gjithëpërfshirëse të agrobiznesit, e cila do të nxisë rritjen ekonomike dhe mbështesë fermerët vendor. Suksesi i tyre qëndron si një dëshmi e fuqisë transformuese të bashkëpunimit, inovacionit dhe ndërtimit të komunitetit. Nga fillimet e tyre modeste në Kosovën rurale e deri tek roli i tyre aktual si prijës të inovacioneve bujqësore, Gentiani, Etniku, Shkelzeni dhe Albioni po aspirojnë që, krahas kultivimit të miqësive të forta që kanë ndërtuar, të shtyjnë përpara edhe ekonominë e Kosovës përmes inovacioneve bujqësore.
 

Image
“Produkte Fresh”: Transformimi i bujqësisë përmes inovacioneve
Përmes mentorimeve dhe trajnimeve, këta të rinj avancuan shkathtësitë e tyre ndërmarrëse dhe fituan një të kuptuar më të thellësishëm të dinamikës së tregut.
Glloball Komjunitiz (Global Communities) for USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories