Gjuha

Në udhëtimin e fundit nga Kosova në Zvicër, Nehat Shalaku shikoi dyqanet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Midis grumbujve të artikujve të ndryshëm të prodhuara jashtë, ai gjeti veshje të prodhuara në Kosovë nga një kompani vendase që ishte zgjeruar me mbështetjen e USAID. "Menjëherë u impresionova me paketimin, me cilësinë dhe me çmimin e produkteve dhe bleva disa mostra për t'ia treguar shefit tim" tha ai. Kjo blerje nxiti një bashkëpunim të rëndësishëm eksporti ndërmjet punëdhënësit të Shalakut në Zvicër dhe prodhuesit kosovar të veshjeve S//Sprint.

I lindur dhe i rritur në Kosovë, Shalaku, tetë vite më parë u zhvendos në Zvicër. Ai është një menaxher shitjesh dhe aksionar i kompanisë Victoria Switzerland, e cila punon drejtpërdrejt me prodhuesit për t’i furnizuar me produkte të ndryshme më shumë se 400 vetëshërbime, barnatore, pika karburanti dhe kioska përreth Zvicrës, dhe shet përmes internetit produkte me shumicë. Shalaku ia prezantoi pronarit të kompanisë artikujt e prodhuara në Kosovë. "Ne kemi gjetur se produktet S//Sprint janë me cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët se ato të prodhuara në Kinë, dhe bonusi është që ato janë duke u prodhuar në një vend që është vetëm dy orë fluturim në Evropë," tha Shalaku. Të impresionuar nga produktet, Shalaku dhe shefi i tij kontaktuan pronarin e S//Sprint, Sami Sopën dhe fluturuan për në Kosovë për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit.

Me të vizituar objektin e prodhimit të kompanisë, kompania zvicerane bleu 7.000 ndërresa për burra dhe gra si një porosi testuese. I themeluar si biznes familjar në vitin 2007, S//Sprint me mbështetjen e USAID u zgjerua gradualisht për të zhvilluar mundësi të reja biznesi përmes lidhjeve të tregut, për të përmirësuar produktivitetin dhe për të zgjeruar prodhimin. Tani ka më shumë se 120 të punësuar, mbi 125 klientë me pakicë në Kosovë dhe tri dyqane. Përveç porosisë testuese, kompania zvicerane arriti një marrëveshje me S//Sprint për të lidhur dyqanet e tyre në internet në mënyrë që klientët e tyre të mund t’i shikojnë produktet që i ofron S//Sprint dhe t'i porosisin ato drejtpërdrejt. S//Sprint prodhon veshje të mbrendshme të ndryshme për burra, gra dhe fëmijë, veshje të rastit, veshje sportive dhe çorape.

"I jam mirënjohës z. Shalaku që na lidhi me tregun zviceran," tha Sopa. Për të përmbushur kërkesën në rritje, S//Sprint po planifikon të zgjerojë dhe ndërtojë një objekt të ri dhe të madh prodhimi. Shalaku dhe Sopa shpresojnë që ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm midis dy kompanive. "Ta jetësosh këtë lidhje të tregut dhe t'i sjellësh këto produkte Made in Kosova në tregun zviceran është një ndjenjë e shkëlqyeshme," tha Shalaku. "Ky është kontributi im, si diasporë, për atdheun tim."

Image
Diaspora sjell në tregun zviceran veshje të prodhuara në Kosovë
Gratë janë pjesa më e madhe e të punësuarve në S//SPRINT
Kardno (Cardno) për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories