Gjuha

Rreth 50 përqind e të rinjve të Kosovës janë të papunë dhe shumë prej tyre nuk kanë njohuri dhe shkathtësi për të gjetur punë në tregun aktual të punës. Sidoqoftë, Klubet e Karrierës, përmes Programit të USAID -it “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt”, janë duke i pajisur nxënësit e shkollave të mesme me njohuritë e nevojshme për të gjetur punë dhe për t’u orientuar në karrierë. Si pjesë e këtyre klubeve, nxënësit vullnetarë ndërlidhin bashkëmoshatarët e tyre me mentorë profesionistë nga komuniteti; si dhe forcojnë lidhjen shkollë – biznes, duke i angazhuar bizneset dhe ndërmarrësit e interesuar të përkrahin nxënësit në zhvillimin e shkathtësive për punë.

Një nga klubet e para të karrierës të formuar në Kosovë është ai në shkollën e mesme të lartë “Xhevdet Doda”, në Prishtinë. Dion Halili, nxënës në “Xhevdet Doda”, së pari iu bashkua Klubit të Karrierës si vullnetar dhe tani mban pozitën e kryetarit.

Roli i vullnetarëve të klubit të karrierës është të ndihmojnë nxënësit e tjerë të zbulojnë pasionet e tyre duke i lidhur ata me mentorë/profesionistë të fushave të ndryshme. “Klubi është i rëndësishëm sepse kam parë nxënës që nuk dinë si të veprojnë pas shkollës së mesme, pasi që sistemi shkollor nuk na jep njohuritë e duhura. Prandaj, përmes klubit të karrierës ne përpiqemi t'i ndihmojmë nxënësit të gjejnë një profil që u pëlqen dhe pastaj t'i lidhim ata me një mentor për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Në këtë mënyrë ata mund të marrin një vendim më të mirë për të ardhmen e tyre”, na tregoi Dioni për ndikimin e qëndrueshëm që klubi ka bërë te nxënësit.

Pavarësisht sfidave të një pandemie mbarëbotërore, klubi nuk i ka ndalur aktivitet e tyre. Përmes takimeve virtuale, ata kanë organizuar aktiviteteve rreth orientimit në karrierë për t’i ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre të zhvillojnë shkathtësi dhe të krijojnë marrëdhënie kuptimplota me mentorët. Për këtë angazhim, Dioni shpreh mirënjohje për komunitetin përreth tij, përfshirë prindërit, mësimdhënësit, mentorët dhe të tjerët që morën pjesë dhe mbështetën ngjarjet virtuale të klubit. "Ndjehem se jemi një familje e vogël në të cilën mund të mbështetemi për zhvillimin e karrierës," shtoi ai.

Në fund, kur u pyet për planet e ti, Dioni tha, “edhe si kryetar i klubit, unë ende nuk e di saktësisht se çfarë dua të bëj në të ardhmen. Por, unë kam njohuritë dhe shkathtësitë të cilat më duhen, dhe kjo falë aktiviteteve të Klubit të Karrierës”.

Me përkrahjen e USAID-it, Klubet e Karrierës në shumë shkolla të mesme të larta të Kosovës bashkëpunojnë me komunitetin lokal, duke i përfshirë të rinjtë në aktivitete që i pajisin ata me shkathtësi për punë dhe ndërmarrësi, të cilat u mundësojnë të krijojnë një të ardhme më të mirë.

 

Image
Klubet e Karrierës ndihmojnë nxënësit e shkollave të mesme të zhvillojnë shkathtësi dhe të orientohen në karrierë
Planifikimi në Qendrën e Karierës
Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) për USAID Kosovë
Tags
Kosovo Stories