Gjuha


Në shikim të parë, mund të duket si çfaredo ekspozite tjetër artistike me medie të përziera -- fotografi, video, teatër, histori. Megjithatë, grupi i larmishëm i të rinjve nga e gjithë Kosova që përfaqëson komunitetet shqiptare dhe serbe të Kosovës, po krijon diçka më shumë se art. Së bashku, ata po avokojnë për pajtim. Gjatë ekspozitës së rishtë të Shkëmbimit të të Rinjve në Mitrovicë, pjesëmarrësit e pesë programeve të shkëmbimit të organizuara nga aktiviteti i USAID-it Dialogu i të Rinjve të Kosovës paraqitën para publikut të gjerë përvojat dhe përshtypjet e tyre. Ata rrëfyen tregime mbreslënëse mbi vizitat nëpër lokacione të ndryshme historike dhe fetare anembanë Kosovës, të rëndësishme për komunitetet e njëri-tjetrit dhe ndanë mendimet mbi pajtimin dhe rëndësinë e adresimit të sfidave të përbashkëta për të gjithë qytetarët e rinj të Kosovës, pavarësisht identitetit të tyre.

Duke folur për publikun në ekspozitë, Miodrag Živković, një pjesëmarrës serb i Kosovës, ndau mendimet e tij pas shkëmbimit: "Të jetosh së bashku është e mundur, kam nxënë shumë shokë nga kjo përvojë me të cilët ende mbaj kontakte. Gjuha paraqet një pengesë në komunikim, mirëpo ne si të rinj jemi e ardhmja e paqes në Kosovë.” Gjatë programeve të shkëmbimit, të rinjtë patën shumë mundësi për t’i shkëmbyer përvojat jetësore, idetë dhe opinionet e tyre, si dhe për të mësuar më shumë mbi pajtimin, ballafaqimin me të kaluarën dhe dialogun ndërkulturor. "Unë mendoj se (programet) më ndihmuan t'i takoj të rinjtë nga komuniteti serb, të flias me ta, të shoh se si ata jetojnë, si ndihen në Kosovë," tha Fisnik Topalli, një pjesëmarrës shqiptar i Kosovës.

Pesë programet e shkëmbimit të të rinjve, të zbatuara nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut - Kosovë, angazhuan mbi 130 të rinj të motivuar nga e gjithë Kosova. Duke punuar në video projekte të përbashkëta, por edhe projekte fotografike, narrative dhe teatrore, pjesëmarrësit po përdorin artin si një mjet për dialog dhe bashkëpunim, si dhe për të kundërshtuar së bashku narrativat nacionalist që janë prezent në shoqërinë kosovare. Efekti i këtij bashkëpunimi është shprehur mirë nga Albin Sermaxhaj, një pjesëmarrës shqiptar i Kosovës: "Ne kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime me njëri-tjetrin."

 

 

Image
Më shumë ngjashmëri sesa dallime," të rinjtë e Kosovës avokojnë për pajtim
"Unë mendoj se (programet) më ndihmuan t'i takoj të rinjtë nga komuniteti serb, të flias me ta, të shoh se si ata jetojnë, si ndihen në Kosovë," tha Fisnik Topalli, një pjesëmarrës shqiptar i Kosovës.
USAIDKosove
Tags
Kosovo Stories