Gjuha

Çka mund të bëjnë komunitetet lokale në Kosovë kur, si pasojë e korrupsionit në prokurim, komunat e tyre shtrojnë rrugë me materiale të cilësisë së ulët apo ndërtojnë ndonjë shkollë e cila fillon të shembet qysh gjatë vitit të parë? Kjo është sfida me të cilën morri përsipër të përballet aktiviteti i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) pesë vite më parë – dhe i kontribuoi një përparimi të ndjeshëm në tejkalimin e saj.

Shoqëria civile luan një rol kyq në ofrimin e mbikqyrjes dhe shërbimin si një rojtar vigjilent i cili i ekspozon praktikat korruptive. Në fillim të angazhimit të USAID-it, ishte vetëm një numër i vogël organizatash të shoqërisë civile (OShC), kryesisht të grumbulluara në kryeqytetin e Prishtinës, që kishin kapacitet për ta bërë këtë. Për të rritur mbikqyrjen nga ana e shoqërisë civile, USAID-i hyri në partneritet me CiviKos-in, një rrjet organizatash që forcojnë bashkëpunimin në mes të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike. CiviKos-i i pajisi organizatat e shoqërisë civile të nivelit lokal në të gjitha 38 komunat e Kosovës me shkathtësi të monitorimit efektiv të prokurimit. Ata çdo vit mbanin punëtori të "mësimit të aplikuar" në të cilat OShC-të e nivelit qendror i mentoronin ato të nivelit lokal. Organizatat e nivelit qendror ofronin udhëzime praktike mbi atë se si duhet hetuar me kujdes kontratat publike reale në komunitete lokale, paralajmëruar mediat mbi rastet e dyshuara të korrupsionit, publikuar gjerësisht informatat dhe raportuar rastet tek Këshilli Prokurorial i Shtetit për hetime të mëtejme.

Si rezultat i një shoqërie civile të fuqizuar, ky proces u zyrtarizua në vitin 2021 me nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Këshillit Prokurorial të Shtetit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave. Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar themeloi një mekanizëm të raportimit për rastet e dyshuara të korrupsionit ose malverzimeve dhe shënoi një pikëarritje të rëndësishme në transparencën dhe llogaridhënien e prokurimit publik në Kosovë.

Diana Metushi Krasniqi, trajnuese pranë CiviKos-it, u shpreh lidhur me transformimin e aktivizmit të shoqërisë civile gjatë kohëzgjatjes së aktivitetit. “Sot, angazhimi [i shoqërisë civile]…ka arritur të jetë mjaft efektiv, duke filluar nga identifikimi i nevojave të qytetarëve e deri te avokimi për shpenzim më racional të parave publike dhe parandalim të korrupsionit.”

 

Image
Shoqëria civile e fuqizuar siguron mbikqyrjen e prokurimit
Pamja e platformës së e-Prokurimit
USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories