Gjuha

Sot, qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata nga grupet e margjinalizuara dhe të cenueshme, kanë qasje më të mirë në shërbimet e ndihmës juridike. Duke reflektuar në rezultatet e arritura së bashku gjatë aktivitetit Drejtësia ka Rëndësi viteve te fundit, Drejtoresha e misionit të USAID-it, Lisa Magno, deklaroi, “Qasja e barabartë në drejtësi është një objektiv i përbashkët. Drejtësia që u shërben vetëm disave nuk është drejtësi. USAID-i ishte vetëm një katalizator në përpjekjet tona të përbashkëta gjatë tri viteve të fundit. Ju jeni ata që i bëtë të mundshme këto rezultate.”

Gjatë kohëzgjatjes së aktivitetit, USAID-i hyri në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas të Kosovës, Odën e Avokatëve të Kosovës, universitetet publike anembanë Kosovës dhe një rrjet të gjerë të organizatave të shoqërisë civile, për të siguruar që shërbimet e ndihmës juridike të jenë të drejta, të qasshme dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve. Duke punuar me USAID-in, Qeveria e Kosovës ka përmirësuar kapacitetet e saj institucionale për të rregulluar, mbikëqyrur dhe prioritizuar sistemin e ndihmës juridike. Duke themeluar Nyjet Qëndrore të Përgjigjes së Parë (First Response Hubs) në komunitetet e margjinalizuara, partnerët e OSHC-ve kanë zgjëruar qasjen në shërbime dhe rritur për 70 përqind numrin e qytetarëve me të ardhura të ulta dhe atyre të margjinalizuar që kanë përfituar ndihmë juridike.

Në partneritet me universitetet e Kosovës, qindra studentë kanë marrë pjesë në klinika juridike që përfshinin kurrikula të standardizuara, vizita në institucione të drejtësisë dhe evenimente të ndërgjegjësimit publik mbi edukimin juridik, me theks të veçantë në shkathtësitë praktike për profesionistët juridik si dhe ekspozimin ndaj shtigjeve të karrierës së ndihmës juridike. Shumë prej këtyre studentëve më tej ofruan vullnetarisht kohën e tyre në klinikat e ndihmës juridike falas, duke i edukuar qytetarët lidhur me të drejtën e tyre ligjore -- duke mbjellur në këtë mënyre kulturën pro bono tek profesionistët e ardhshëm juridik të Kosovës. Përmes platformave online dhe aplikacioneve mobile, si ‘Afër Teje,’ më shumë se 150,000 persona dhe grupe të cenueshme, si gratë dhe pjestarët e komunitetit LGBTQI+, kanë fituar qasje në burimet e ndihmës juridike.

Përderisa aktiviteti Drejtësia ka Rëndësi po merr fund, partnerët tani kanë lidhje institucionale për të vazhduar zgjërimin e gamës së shërbimeve të ofruara dhe përmirësimin e alfabetizmit juridik dhe përpjekjeve në ndërgjegjësimin publik. Ashtu si tha Drejtoresha e misionit të USAID-it, Lisa Magno, "Unë nuk kam asnjë dyshim se, duke ndërtuar mbi këto suksese, ju do të realizoni ndryshimin transformues të cilin të gjithë e dëshirojmë për Kosovën."

Image
Qytetarët e Kosovës tani kanë qasje më të mirë në shërbime të ndihmës juridike
Aplikacioni Afër teje
USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories