Gjuha

Nëntëmbëdhjetë vjeçarja Dea Gaxha takohet me rreth 15 të rinj një herë në muaj për të lehtësuar aktivitetin e një grupi të mbështetjes së bashkmoshatarëve në Gjakovë. Grupi mbështetës i Deas, megjithatë, është një grup pak më ndryshe nga ajo që do të prisnit normalisht, sepse nuk është i përkushtuar ekskluzivisht ndaj të rinjve qoftë me aftësi të kufizuara ose nga komunitete të margjinalizuara, apo ndonjë kategorie tjetër. Ky grup i përfshinë të gjitha këto brenda vetes.

“Grupi gjithpërfshirës për mbështetjen e bashkmoshatarëve” lindi si frymëzim i një nisme të mbështetur nga USAID-i e cila udhëheqej nga të rinjtë, pjesë e së cilës ishte edhe Dea. Një ekip prej 15 të rinjsh realizuan ushtrimin e “Hartëzimit të Aseteve të Komunitetit" në Gjakovë. Ekipi intervistoi 25 përfaqësues nga institucionet e qeverisjes lokale dhe organizatat joqeveritare si dhe rreth 300 banorë vendas nga 12 fshatra, të cilët ofruan informata kthyese lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë. Ata mësuan se ekzistonte një zbraztësirë e madhe në aktivitetet rinore që ishin gjithpërfshirëse dhe kishte shumë pak hapësira publike për të rinjtë që ishin lehtësisht të qasshme për persona me aftësi të kufizuara.

Detyra përpara ekipit ishte të hartonte një aktivitet gjithpërfshirës që do t’i angazhonte të gjithë të rinjtë. Të rinjtë gjakovarë nuk kishin pasur kurrë më parë një hapësirë të sigurt ku të gjithë do të mund të mblidheshin dhe t’i shkëmbenin lirshëm pikëpamjet e tyre. “Këto takime janë një koncept i ri për ne,” thotë Dea Gaxha. “Nuk mendoj se ka pasur të tilla ndonjëherë më parë në Kosovë. Të rinjtë i pëlqyen dhe u nxitën për të gjetur përgjigje dhe zgjidhje me të cilat i ndihmuan bashkmoshatarët të përballen me sfidat e tyre të përditshme.”

Megjithëse nisma e udhëhequr nga të rinjtë përfundoi rishtazi, pjesmarrësit e grupit vazhdojnë të takohen me vetëiniciativë sepse përvoja ishte shumë pozitive. Ata gjithashtu po planifikojnë ta ndajnë nismën e grupit mbështetës me të rinjtë në nëntë komuna tjera partnere. Ata duan të inkurajojnë sa më shumë të rinj që të bashkohen, të mbështesin njëri-tjetrin dhe t’u prijnë ndryshimeve në komunitetet e tyre.

Nismat e USAID-it të udhëhequra nga të rinjtë i mësojnë bashkmoshatarët të komunikojnë në mënyrë efektive, të angazhohen në punë ekipore, të jenë gjithëpërfshirës dhe të bëhen liderë, për t’i rritur gjasat e tyre për sukses në të ardhmen.

 

Image
GRUPI GJITHPËRFSHIRËS PËR MBËSHTETJEN E BASHKMOSHATARËVE ËSHTË NISMË MODEL E UDHËHEQUR NGA TË RINJTË
Dea Gaxha udhëheq aktivitetin e një grupi të mbështetjes së bashkmoshatarëve në Gjakovë
Global Communities për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories