Gjuha

Friday, June 24, 2022

 

Vllaznim Shaljani, një student i ri i inxhinierisë mekatronike në Universitetin e Prishtinës, po synon një karrierë e cila do t’i mundësonte kombinimin e dy pasioneve të tij: inxhinierisë dhe energjisë së pastër. Në fillim të vitit 2022, Vllaznimi u përzgjodh për një praktikë profesionale gjashtëmujore në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), e cila do ta përgatisë për të arritur pikërisht atë.

KEK-u po zhvillon kapacitete të reja për gjenerim të energjisë elektrike nga burime të ripërtritshme, duke përfshirë një central 100-megavatësh me energji diellore – i cili do të financohet nga banka gjermane për zhvillim KfW – në lokacionin e KEK-ut. Pasi të ndërtohet, centrali do të jetë projekti më i madh diellor në Kosovë. Synimi i KEK-ut është të mbështesë tranzicionin e Kosovës drejt një të ardhme energjetike të bazuar në energji të pastër. Vendi pret që deri në vitin 2031 të arrijë pjesëmarrjen prej 35 përqind të energjisë nga burimet e ripërtritshme në konsumin e gjithmbarshëm të energjisë elektrike.

Me ekspertizën e tij teknike, Vllaznimi po ndihmon ekspertët e KEK-ut të kryejnë studime gjeoteknike, sizmologjike dhe hidrologjike të cilat do të informojnë projektimin dhe ndërtimin e centralit të ri diellor. “Duke qenë dëshmitar i zhvillimeve më të fundit teknologjike në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtritshme dhe duke ditur dëmet [e shkaktuara nga ndotja] e termocentraleve me thëngjill, vendosa të aplikoj për këtë praktikë profesionale,” shpjegon Vllaznim.

Pjesëtar i komunitetit joshumicë ashkali të Kosovës, Vllaznimi është një nga 15 praktikantët e vendosur në kompanitë private të energjisë së pastër dhe institucionet e sektorit energjetik të Kosovës përmes aktivitetit të USAID-it Qëndrueshmëria Energjetike. Programi i praktikës profesionale ven theksin në përfshirjen e grave dhe të rinjve nga grupet joshumicë në Kosovë dhe synon t’i përgatisë studentët dhe të sapodiplomuarit për punë me orar të plotë në sektorin energjetik. “Teknologjia më ka tërhequr gjithmonë,” thotë Vllaznimi, duke përshkruar interesimin e tij për praktikën profesionale në KEK dhe atë që shpreson të përfitojë nga ajo. “Planifikoj të jap kontributin tim në tranzicionin që Kosova synon të realizojë.”

Me kuadro të llojllojshëm liderësh të arsimuar, të trajnuar dhe entuziastë të sektorit energjetik, të tillë si Vllaznimi, Kosova do të arrijë një të ardhme energjetike të qëndrueshme dhe të dekarbonizuar.

 

Image
KRIJIMI I MUNDËSIVE PËR TË ARDHMEN ENERGJETIKE TË KOSOVËS
Vllaznim Shaljani, një student i ri i inxhinierisë mekatronike në Universitetin e Prishtinës, po synon një karrierë e cila do t’i mundësonte kombinimin e dy pasioneve të tij: inxhinierisë dhe energjisë së pastër.
TetraTech për USAIDKosovë
Share This Page