Gjuha

 

Ndërmarrjet në pronësi të diasporës së Kosovës nëpër Europë luajnë një rol mbështetës kyq në zgjërimin dhe forcimin e sektorit privat në Kosovë. Në maj, mbi 150 biznese të diasporës udhëtuan në Kosovë për t'u takuar me prodhues vendorë dhe për të krijuar partneritete afariste gjatë Forumit të Bizneseve të Diasporës, të bashkëorganizuar nga aktiviteti i USAID-it Garo (“Compete”) në Kosovë.

Ndër kompanitë vendore që vizituan bizneset e diasporës ishte edhe përpunuesi i telit të metaltë Rronifer. Në vitin 2017, USAID-i mbështeti Rroniferin përmes bashkëfinancimit të një nënstacioni të ri të transformatorit elektrik për zgjërimin e linjës së rrotullimit të telit. “Kjo mbështetje ishte vendimtare për kompaninë tonë në atë kohë, pasi ishim të kufizuar financiarisht dhe nuk ishim në gjendje ta bënim atë investim të vetëm sepse na duhej njëkohësisht të investonim edhe në teknologjinë e prodhimit,” tha Gent Lajqi, drejtori ekzekutiv i Rroniferit.

Ndihma e USAID-it i mundësoi kompanisë të dyfishonte kapacitetin e saj duke reduktuar konsumin e energjisë, gjë e cila pati ndikim pozitiv në qëndrueshmërinë afatgjate të Rroniferit. Që nga themelimi i kompanisë në vitin 2007, Rroniferi e ka pesëfishuar nivelin e prodhimit dhe vazhdon edhe më tej të zgjërohet.

 Ndërmarrja MTI Bohr und Ramm Technik Gmbh (MTI) nga Austria, e cila është në pronësi të pjestarëve të diasporës, hyri në partneritet me Rroniferin për t’i shitur produktet e tyre në Austri disa vite më parë. Kur MTI-ja vizitoi Rroniferin në maj, gjatë Forumit të Bizneseve të Diasporës, ajo vendosi t'ua ofrojë produktet e Rroniferit edhe kompanive tjera anembanë Austrisë. Kompanitë nënshkruan një marrëveshje të re partneriteti e cila i dha MTI-së të drejtat ekskluzive për t’i shitur produktet e Rroniferit në tregun austriak.

Forumi i diasporës në maj ishte një hap i rëndësishëm për të rritur qasjen e Rroniferit në tregje të reja, tani që është rritur mjaftueshëm për të prodhuar vëllimin dhe cilësinë që kërkojnë tregjet e BE-së. Falë MTI-së dhe bizneseve tjera të diasporës, eksportet e Rroniferit pritet të rriten në 15 milionë euro deri në fund të vitit.

Përmes mbështetjes së USAID-it, kompanitë me seli në Kosovë rrisin konkurueshmërinë e tyre dhe vendosin lidhje me blerës të jashtëm, duke stimuluar rritjen e ndërmarrjeve, promovuar krijimin e vendeve të punës dhe nxitur depërtimin më të madh në treg.

 

Image
PARTNERITETET ME BIZNESET E DIASPORËS U JAPIN NXITJE EKSPORTEVE TË KOMPANISË KOSOVARE
Stafi i USAID Kosovës gjatë vizites në RroniFer
Nazmije Bajrami, USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories