Gjuha

 

Qasja e përqëndruar tek njerëzit po u ndihmon institucioneve të Kosovës t’i identifikojnë dhe adresojnë nevojat e qytetarëve. Rishtazi, gjykatat themelore të Ferizajt dhe Mitrovicës vendosën, me mbështetje të USAID-it, shtigje të prekshme për të përmirësuar orientimin dhe qasjen në gjykata për personat e verbër, të cilët në të kaluarën vareshin nga ndihma e të afërmve apo miqve të tyre.

"Njerëzit që na shoqërojnë herë pas here kanë përgjegjësitë e tyre ndërsa ne varemi nga ata," thotë znj. Rabishe Hasimi. Zonja Hasimi është një nga 11,000 kosovarët e verbër që vareshin nga të tjerët për t'iu qasur shërbimeve gjyqësore. “Tani [falë shtegut të prekshëm] kemi qasje të lehtë për të hyrë në gjykatë dhe mund të kërkojmë shërbime vetë,” shtoi ajo në të njëjtën kohë që po merrte numrin e lëndës në shkrimoren e gjykatës.

Pasi pati, për herë të parë, qasje të pavarur në shërbime gjyqësore në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Daut Hoxha, një person i verbër dhe jurist i diplomuar, u shpreh me krenari se u ndje i fuqizuar: "Aplikova për çertifikatë të gjendjes penale, meqë kërkohej nga një punëdhënës potencial, dhe procedura u zhvillua pa asnjë problem. Në të kaluarën, më duhej të isha i shoqëruar nga kujdestari profesionist ose ndonjë anëtar i familjes për të marrë çfarëdo shërbimi gjyqësor, gjë që ishte e vështire për një person të verbër.”

USAID-i, përmes aktivitetit të tij Drejtësia në Kosovë, po punon me gjykatat për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve duke ndihmuar në zhvillimin e planeve të gjykatave që promovojnë qasje më të mirë në drejtësi. Tani shtigjet e prekshme, krahas vendparkimeve të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara dhe tableteve për komunikim me personat e shurdhër, janë bërë shenja të reja dalluese për gjykatat e Kosovës, ku shërbejnë për të eliminuar pengesat ndaj qasjes në drejtësi duke siguruar që çdo kosovar të mund të realizojë të drejtën e shfrytëzimit të shërbimeve gjyqësore.

 

 

Image
Sigurimi i qasjes në gjykatë për personat me aftësi të kufizuara
“Tani [falë shtegut të prekshëm] kemi qasje të lehtë për të hyrë në gjykatë dhe mund të kërkojmë shërbime vetë" - Rabishe Hasimi.
Kemoniks për USAIDKosovë
Tags
Kosovo Stories