Gjuha

 

Valbona Ajeti ishte një nga shumë gra në Kosovë në kërkim të mundësive. Në vitin 2015, ajo dhe 15 gra tjera ambicioze të papuna, secila me nga 10 euro në dorë, filluan një biznes për prodhimin e perimeve të konservuara (turshive) në një garazh makinash. Shtatë vite më vonë, biznesi i cili u quajt GRASEP, një shkurtesë kjo për "gratë e Sllatinës së Epërme," jo vetëm që prodhon për tregun vendor por, falë mbështetjes së USAID-it, edhe eksporton në Austri dhe Zvicër.

Para pjesëmarrjes në Forumin e parë të Sektorit të Ushqimit, të mbështetur nga USAID-i, GRASEP-i prodhonte vetëm për tregun vendor. Forumi i siguroi Valbonës mundësinë për të takuar blerësin nga diaspora, supermarketin online Ekena.at, dhe lidhur kontratë për eksport në Austri. Deri më tani, GRASEP-i ka çuar gjashtë dërgesa me mallra në Ekena.at me vlerë mbi 60,000 euro.

Për të krijuar edhe më shumë lidhje eksporti, Valbona sivjet morri pjesë në programin Diaspora për Gratë Ndërmarrëse, të mbështetur nga USAID-i dhe implementuar në partneritet me organizatën vendore GERMIN. Programi çiftoi 20 gra ndërmarrëse me profesionistë nga diaspora me qëllim të mentorimit dhe transferimit të njohurive. “Kam mësuar shumë nga mentorja ime Sirena, si për prezantimin e biznesit tim ashtu edhe për avancimin e shkathtësive të mia të shitjes,” tha Valbona.

Përveç kësaj, programi organizoi një ngjarje B2B (“biznes me biznes”) në Zvicër, ku morrën pjesë 10 nga gratë e mentoruara. Njëra prej tyre ishte edhe Valbona. Gratë ndërmarrëse mbajtën mbi 80 takime B2B me diasporën, duke përfshirë edhe një me distributorin e produkteve ushqimore R.B. Import Export GmbH. Valbona ftoi pronarin e kësaj kompanie Rexhep Berishën që të vizitojë fabrikën e saj.

“Isha vërtet i impresionuar, si me produktet ashtu edhe me objektin e GRASEP-it, prandaj menjëherë vendosa dhe shpreha gadishmërinë që t'i shes produktet e tyre në tregun zviceran,” tha Rexhepi. Të nesërmen, Valbona dhe Rexhepi nënshkruan një kontratë për eksportin e gjashtë produkteve të GRASEP-it në Zvicër.

Duke shikuar drejt së ardhmes, Valbona planifikon të vazhdojë të zgjerojë eksportet dhe të promovojë biznesin e saj. "Tani, do të më duhet të ndërtoj një magazinë të re për të akomoduar porositë dhe eksportet në rritje," thotë ajo. Grupi i dytë i pjesmarrëseve të programit Diaspora për Gratë Ndërmarrëse, të mbështetur nga USAID-i, fillon në dhjetor 2022, me 20 gra të tjera ndërmarrëse vendore të cilat do të shfrytëzojnë benefitet që ofrojnë mentorimi nga ana e profesionistëve të diasporës dhe takimet B2B në Gjermani.

 

 

Image
Lidhjet me diasporën rezultojnë me suksese në eksport për gratë ndërmarrëse kosovare
Aktivitetet e çiftëzim të bizneseve vendore me ato të diasporës dhe të huaja, të lehtësuara nga USAID-i, po ndihmojnë në rritjen e sektorit privat të Kosovës dhe po katalizojnë rrugëtimin e vendit drejt prosperitetit
Dt Global për USAID Kosovë
Tags
Kosovo Stories