Gjuha

Në raportin e Pulsit Publik, një hulumtim ky i opinionit publik në Kosovë, për Nëntorin e vitit 2021, dhjetë përqind e të anketuarve raportuan për herë të parë ndonjëherë se mjedisi ishte ndër tre problemet më urgjente me të cilat përballet vendi. Po aq me rëndësi për t’u vërejtur është edhe se mjedisi i’a zuri vendin korrupsionit si njërit nga shqetësimet kryesore. Gjatë 14 raporteve të fundit të Pulsit Publik, mesatarisht 10.7 përqind e të anketuarve përmendën korrupsionin ndër tre problemet kryesore, ndërsa vetëm 4.8 përqind e të anketuarve bënë një gjë të tillë nëntorin e kaluar.

Të anketuarit e perceptojnë papunësinë (26.7 përqind) dhe varfërinë (24.3 përqind) si problemin e parë dhe të dytë madhor të Kosovës. Përkundër kësaj, Indeksi i Besimit Ekonomik i Pulsit Publik të fundit për herë të parë e kaloi pragun e kënaqësisë, gjë që sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve janë optimistë për sa i përket perspektivës ekonomike të Kosovës. Ngjashëm, 30.7 përqind e të anketuarve raportuan se ishin të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës, niveli më i lartë i kënaqësisë që ka regjistruar ndonjëherë Pulsi Publik. Megjithëse gjetjet treguan një rënie të lehtë të kënaqësisë së njerëzve me performancën e Qeverisë krahasuar me anketën e majit të vitit 2021, ajo prapë mbetet e lartë: Presidentja e Kosovës (55.2 përqind), Kryeministri (53.2 përqind) dhe Ekzekutivi (47.6 përqind).

Gjatë 20 viteve të fundit, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i financuar nga USAID-i, zhvillon dy herë në vit hulumtimin e Pulsit Publik. Ai ofron një fotografi të çastit, të saktë dhe të paanëshme, të perceptimit nga ana e qytetarëve të çështjeve që kanë ndikim në jetët e tyre të përditshme. Pulsi Publik paraqet një instrument të paçmueshëm për zyrtarët e zgjedhur, ngase ai u siguron atyre të dhënat që u nevojiten për të reaguar në kohën e duhur dhe për të qenë të përgjegjshëm ndaj zgjedhësve të tyre, prioritetet e të cilëve ndryshojnë me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, ai u jep qytetarëve mundësinë që të shprehen rreth çështjeve që kanë ndikimin më të madh në jetët e tyre.

 

Image
Raporti i ri i Pulsit Publik zbulon ndryshime në percepcionin e publikut
Kopertina e Pulsit Publik
USAIDKosovo
Tags
Kosovo Stories