Lidhja e fuqisë punëtore të të rinjve të Kosovës me vendet e duhura të punës

Speeches Shim

Lidhja e fuqisë punëtore të të rinjve të Kosovës me  vendet e duhura të punës
Të trajnuarit në kompaninë për prodhimin e këpucëve “Solid” trajnohen individualisht në çdo aspect të linjës së prodhimit, për të siguruar qëndrueshmëri në cilësinë e produktit.
Projekti i USAID-it për Fuqizim të Sektorit Privat
Puna praktike përgatitë të rinjtë për tregun e punës
“Nuk kam qenë në dijeni që ekzistojnë kompani që tanimë bëjnë një punë të tillë në Kosovë, ose që do të kisha mundësinë të mësoj prej tyre.”

Maj 2017— Ariana Canhasi, e entuziasmuar dhe e frymëzuar nga studimet e saj tre vjeçare në Dizajn të brendshëm në Institutin e Dizajnit në Florencë të Italisë, u kthye në Kosovë, me diplomë në dorë, me synimin që të punojë për kompaninë e vogël të familjes  së saj për përpunimin e drurit. Nuk është saktësisht dizajn i brendshëm, por aty diku, mendoi ajo.

Mirëpo me të dëgjuar për punën praktike tremujore që ofrohej përmes Shoqatës Kosovare të Përpunuesve të Drurit, ajo nuk e humbi dhe e shfrytëzoi këtë mundësi, e cila e vendosi atë në një prej kompanive më të mëdha të dizajnit dhe të mobileve në vend, pra kompaninë “Elnor”.  

“Jam e apasionuar me dizajnin dhe kjo është ajo që vërtet dua të bëj”, shpjegon ajo. “Nuk kam qenë në dijeni që ekzistojnë kompani që tanimë bëjnë një punë të tillë në Kosovë, ose që do të kisha mundësinë të mësoj prej tyre.”

Canhasi është një prej 30 praktikanteve që në fund tw praktikws iu ofrua një pozitë e përhershme përmes programit për punw praktike të shoqatës, që është i bashkëfinancuar nga projekti i USAID-it EMPOWER Sektori Privat.  Me shumicën e programeve të arsimit të lartë në Kosovë që përqendërohen më shumë në teori sesa në praktikë dhe me lidhjet familjare, që janë motori dëmtues dhe kryesor për punësim, shumica e të rinjve të shkolluar të vendit e gjejnë vetën pa lidhjet e duhura për vendet e punës që ata i dëshirojnë ose janë tejet të shkolluar për vendet e punës që ata mund t’i fitojnë.

Gjatë dy viteve të fundit përmes projektit EMPOWER, USAID-i ka mbështetur një numër të iniciativave që synonin të bënin lidhjen e të riut të duhur me vendin e duhur tw punës. Deri më sot, më shumë se 620 praktikantë kanë fituar punësim të përhershëm përmes këtij programi, nëpër sektore të ndryshme dhe të gatshme për zhvillim.

Një tjetër prioritet kyç për USAID-in ishte që të sigurojë që kompanitë me programe të fuqishme të trajnimit në vend të punës – si prodhuesi i këpucëve “Solid” dhe ofruesi i shërbimit për klientë “IQ-to-Link” – kanë mbështetjen që atyre iu nevojitet për tu zhvilluar dhe për të krijuar vende të reja të punës.  Për të kompensuar mungesën e cilësisë së programeve profesionale në dispozicion, shumica e bizneseve të Kosovës duhet të investojnë shumë në trajnime që kanë të bëjnë me vende të punës, duke i larguar burimet nga investimet e tjera që janë të nevojshme për zgjerim.

“Ne e kemi zhvilluar programin tonë trajnues për tu siguruar që çdo të punësuarit të ri t’i ofrohet mundësia për të korrur sukses, por disa marrin më shumë kohë sesa të tjerët,” shpjegon Gresa Kuçi, Menaxhere për Zhvillim të Biznesit në Kompaninë “Solid”. “Granti për pajisje nga USAID-i na ka mundësuar që ta zgjerojmë biznesin edhe në prodhimin e këpucëve për fëmijë, duke mos e sakrifikuar cilësinë për të trajnuar secilin punonjës”.

Përmes marrëveshjes së grantit, Kompania “Solid” ka punësuar dhe trajnuar 60 punonjës të ri.  Kompania familjare, e krijuar fillimisht në vitin 1996 – gjatë pesë viteve të fundit është bërë dy herë më e madhe dhe vazhdon të trajnojë 10-20 punonjës të ri për çdo muaj.

Granti i USAID-it për pajisje ka liruar kapitalin fillestar të nevojshëm për të hapur zyren e parë të Qendrës së thirrjeve “IQ-to-Link”, me pronar gjerman, që është një qendër e re në Kosovë, me staf të gatshëm për të përmbushur nevojat e klientëve të mëdhenj ndërkombëtarë, si “Deutsche Post DHL”.  Pas trajnimit dhe punësimit të 200 punonjësve fillestarë, sipas marrëveshjes për grant e vitit 2015, Qendra “IQ-to-Link” është zgjeruar dhe ka punësuar gati 350 persona në zyrën e saj kryesore dhe në lokacionin e dytë, që u hap një vit më vonë.

“Shërbimi cilësor për klientë është çfarë na dallon ne nga konkurrenca”, shpjegon Jens Reichenbach, Shef Ekzekutiv i Qendrës së Thirrjeve “IQ-to-Link”. “Me mbështetjen e USAID-it, ne ishim në gjendje të ofrojmë për stafin tonë trajnim sipas standardit të industrisë dhe të krijojmë vende të reja të punës më shpejtë sesa kishim planifikuar në fillim”.

Projekti pesë vjeçar i USAID-it Fuqizimi i Sektorit Privat, i cili gjithashtu është i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim, është duke u zbatuar që nga muaji korrik i vitit 2014 për të stimuluar krijimin e vendeve të shumta të punës, duke ngritur konkurrencën e kompanive të Kosovës në sektore të gatshme për zhvillim, si për rroba, përpunim të drurit, teknologji të informimit dhe komunikimit, energji të ripërtëritshme, turizëm dhe përpunim të metaleve. Deri më sot, projekti ka krijuar 1700 vende të reja të punës në mbarë Kosovën dhe planifikon që deri në muajin korrik të vitit 2019 të krijojë gjithsej 5000 vende të reja të punës.

 

LINKS

Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube

Last updated: January 16, 2018

Share This Page