Gratë fermere në Kosovë realizojnë potencialin e tyre

Speeches Shim

Gratë fermere në Kosovë realizojnë potencialin e tyre
Sylhanja me krenari tregon tunelin e ri për tharje diellore të cilin ajo e përdor për bimët aromatike të mbledhura .
Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO)
Tharja diellore i shndërron lulet në kulturë fitimprurëse
“Në fshatrat tona me të vërtetë ka ndryshuar mentaliteti. Gratë kanë më tepër vetëbesim – ato tani punojnë, kultivojnë, mbledhin, thajnë dhe shesin produktet e tyre për të realizuar fitim.”

Janar 2017 — Në fshatin e Sylhane Ramadanit, në Gotovushë, lulet nuk janë thjeshtë vetëm për t’u dhuruar, por nga ato gjithashtu edhe fitohet.   

Fshatarët e këtij cepi malor dhe multietnik në pjesën jugore të Kosovës ende u dhurojnë lulet e rritura nëpër kopshte miqve dhe fqinjëve të tyre. Megjithatë, gjithnjë e më tepër, gratë fermere po kultivojnë, përpunojnë, dhe po u shesin lulet grumbulluesve për t’i eksportuar ato në Europë. Si rrjedhojë e këtyre shitjeve, gratë fermere të kësaj zone të thellë rurale po realizojnë të ardhura shtesë shumë të mirëseardhura.  

“Ne kemi arritur në përfundim se duhet të shesim atë që prodhojmë, dhe se nga puna jonë mund të realizojmë një fitim të mirë,” thotë Ramadani, 45-vjeçare. “Përse të jap gratis diçka që kam rritur me punë, kur me këtë mund të siguroj të ardhura për familjjen time?”

Për vite me radhë, gratë e këtij rajoni kanë grumbulluar bimët e mbledhura në natyrë si dhe bimët mjekësore të kultivuara nëpër amvisëri, përfshirë edhe mullagën. Kjo lule është përbërës i shpeshtë i shamponëve, kremave të fytyrës dhe losioneve për lëkurë. Kur shitet e freskët, kjo lule ka margjinë të ulët të fitimit, dhe sjellë diku rreth 1 euro për kilogram.

Për të përmirësuar situatën, USAID-i, përmes programit të tij Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO), i furnizoi 50 gra fermere me tunele të thjeshta për tharje diellore, në korrik të vitit 2016. Këto tunele u gjasojnë serave me mure prej plastikës së zezë. Plastika e zezë e tunelit absorbon rrezet e diellit të cilat e ngrohin brendësinë, duke shpejtuar në këtë mënyrë procesin e tharjes. Raftet e shumëfishta i sigurojnë secilit tunel 60 metra katrorë hapsirë tharëse.

Nevoiten vetëm tre deri në katër ditë për t’i tharë lulet.. “E gjitha që u mbetet blerësve të bëjnë është që menjëherë t’i paketojnë ato dhe t’i përgatisin për eksport,” thotë Ramadani. Vlera e shtuar nga tharja përkthehet në një margjinë shumë më të lartë fitimi. Gratë mund t’i shesin lulet e thara për më shumë se 5 euro për kilogram, thotë Samir Riza, ekspert i bimëve mjekësore dhe aromatike pranë aktiviteteve bujqësore të USAID-it.

“Në fshatrat tona me të vërtetë ka ndryshuar mentaliteti,” thotë Ramadani, e cila udhëheqë me kooperativën lokale multietnike të grave. “Gratë kanë më tepër vetëbesim – ato tani punojnë, kultivojnë, mbledhin, thajnë dhe shesin produktet e tyre për të realizuar fitim.”

Ndërhyrja e USAID-it i ka siguruar këtij rajoni më shumë se 3.000 metra katrorë kapacitet tharës. Përveç farëve të mullagës, gratë fermere kanë marrë edhe farë të kumakut, lulemisrit, dhe lulediellit zbukurues. Të gjitha këto kultura mund të kultivohen në mënyrë intensive, gjë që paraqet një avantazh për gratë lokale të cilat kultivojnë parcela të vogla dhe të fragmentuara. Këto gra gjithashtu janë trajnuar edhe për menaxhim të korrjeve, përfshirë mënyrën e duhur të mbledhjes së luleve delikate duke mos i dëmtuar ato.

Ndërmarrja lokale Agroprodukt Sh.p.k. blenë pothuajse tërë sasinë e kultivuar dhe tharë nga këto gra, duke i eksportuar këto produkte në Austri, Gjermani dhe Zvicër. Lulet e thara dhe bimët tjera u sjellin grave fermere çdo sezonë nga 300 euro – shumë kjo që i afrohet një page mesatare mujore në vend. Ky proces është pjesë e përpjekjeve të USAID-it për të zhvilluar industrinë e bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë, por edhe për të rritur të ardhurat e popullatës rurale shumicë të saj.  

“Këto janë të ardhura shtesë për familjet tona, dhe si të tilla janë shumë të mirëseardhura,” thotë Ramadani. “Në të ardhmen e afërt, ne presim rritje të kultivimit, kudo që ka tokë në dispozicion, por edhe rritje të bimëve të mbledhura në natyrë dhe, rrjedhimisht, rritje të shitjes dhe fitimit.”

Programi AGRO i USAID-it, i cili vepron nga viti 2015 deri në 2020, është dizajnuar për të rritur qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e agrobizneseve të shënjestruara kosovare në tregjet vendore dhe ato të eksportit, përmes rritjes së produktivitetit dhe tregtueshmërisë.                    

 

LINKS

Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube

Last updated: January 16, 2018

Share This Page