Përpunuesit Kosovarë të Drurit Depërtojnë në Tregjet e Huaja

Speeches Shim

Përpunuesit Kosovarë të Drurit Depërtojnë në Tregjet e Huaja
Sheqer Ukaj, pronar i “Elnorit”, duke e mbajtur një fotografi të vetën dhe të derës që e ka prodhuar para më shumë se 30 viteve kur ia nisi biznesit të tij tani të suksesshëm
Programi i USAID-it Empower Sektori Privat
80 përqind e eksportit gjenerohet nga portalet online
"Për një kompani në rritje të vazhdueshme siç është “Elnori”, zgjerimi i tregjeve është tejet i rëndësishëm"

Tetor 2016 – Kur jeta e përballi me një sfidë, Sheqer Ukaj ia doli mbanë me mënyrën e vet. Mungesa e teknologjisë, mungesa e mbështetjes financiare, normat e larta të huave e përcollën Sheqerin në rrugën e tij drejt suksesit. Simbolikisht, e tërë kjo filloi me një derë druri që e bëri vetë. Duke e kombinuar traditën familjare të tij prej tri gjeneratash me përvojën e tij në inxhinieri, në mesin e viteve të tetëdhjeta, në qytetin perëndimor të Pejës, ai hapi kompaninë e prodhimit të mobileve me emrin “Ukaj”.

Në vitin 2007, “Ukaj” e zhvendosi prodhimin në Prishtinë ku ndërtoi objektin e kompanisë së tij të re, “Elnor Furniture”, për ta përballuar kërkesën në rritje për karriget dhe tavolinat me të cilat njihet, si dhe për zgjidhje për dizajne të interierit. Përveç prezencës solide në tregun vendor, ai aktualisht eksporton disa produkte në Danimarkë, Gjermani, Zvicër, Finlandë, Irlandë dhe Mal të Zi.

“Për një kompani në rritje të vazhdueshme siç është “Elnori”, zgjerimi i tregjeve është tejet i rëndësishëm”, thotë Ukaj. Në vitin 2015, Ukaj e kuptoi se, në mënyrë që kompania ta ruante aftësinë e “Elnorit” për të siguruar vëllim të madh të prodhimit dhe për ta mbajtur avantazhin konkurrues të tij, ai duhej ta shtonte efikasitetin dhe të fitonte fleksibilitet në stil. Atij po ashtu i duhej ndihmë financiare për t’i blerë pajisjet që nevojiteshin për një linjë të prodhimit të modernizuar.

USAID-i i ofroi mbështetje nëpërmjet një granti nga EMPOWER Sektori Privat, që u financua edhe nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, duke e plotësuar investimin vetanak të kompanisë në pajisje. Në janar të vitit 2016, përsëri me mbështetjen e USAID-it, “Elnor” ishte njëra nga tri kompanitë e përpunimit të drurit që ekspozoi për herë të parë në Panairin “SwissBau” në Zvicër. Vlerësohet se shitjet që priten nga nëntë parakontrata që i ka nënshkruar “Elnori” të arrijnë në afro 90,000 euro (100,500 dollarë).

Ka më shumë lajme të mira për “Elnorin” dhe të gjitha kompanitë e përpunimit të drurit nga Kosova. Në qershor të vitit 2016 u inaugurua salla e parë e ekspozitës për mobilet nga Kosova jashtë vendit, në Shtutgart të Gjermanisë.

Kjo sallë e ekspozitës menaxhohet nga “Kelmendi Holzmöbel”, agjent profesional i shitjes të cilin e ka identifikuar USAID-i për të ndihmuar në promovimin e eksportimit të produkteve të Kosovës. Afër 80 përqind e shitjeve bëhen online nga portalet siç janë www.cleveroo.com dhe www.amazon.de. Këto produkte shiten nën emrin e markës “Schwarzwald Massivholz”, e cila është krijuar posaçërisht për produktet e drurit të bëra në Kosovë.

“Tregjet gjermanishtfolëse janë tregje kryesore për mobilet dhe elementet e interierit nga druri të bëra në Kosovë. Kompanitë tona janë të afta për ta prodhuar cilësinë e kërkuar dhe janë tejet konkurruese”, thotë Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Arieta Vula-Pozhegu.

“Dekoriti” është një tjetër prodhues kosovar i pranishëm në këtë ekspozitë në Gjermani. Kjo kompani i shet dy lloje të rafteve të librave dhe tri lloje të shtretërve për fëmijë, të gjitha të bëra nga druri solid, i cili është i vështirë për t’u përpunuar.

“Kjo ekspozitë është mundësi shumë e mirë për ne për dy arsye”, thotë Riad Dërguti, menaxher në “Dekoriti”. “Së pari, na ka ndihmuar ta thyejmë barrierën psikologjike se nuk mund të eksportojmë në Evropë, ndërsa, së dyti, reagimet nga klientët gjermanë na kanë ndihmuar që ta avancojmë teknologjinë dhe dizajnet tona në mënyrë konstante”.

Për shumë vite, kompanitë e përpunimit të drurit nga Kosova janë përpjekur që ta shtojnë eksportin. Hapja e sallës së ekspozitës në Gjermani nuk është vetëm depërtim në tregun evropian, por edhe mundësi për ta avancuar teknologjinë dhe për t’i përcjellë trendet botërore të cilësisë dhe dizajnit si mënyrë për ta arritur avantazhin konkurrues.

“Tefik Çanga”, “Deva”, “Kelmendi” dhe “Balaj” janë kompanitë e tjera të përpunimit të drurit nga Kosova që janë duke i shitur aktualisht produktet e tyre përmes sallës së ekspozitës.

Projekti pesëvjeçar EMPOWER Sektori Privat i USAID-it është angazhuar që nga korriku i vitit 2014 për ta stimuluar krijimin e vendeve të punës në shkallë të lartë, duke e ngritur aftësinë konkurruese të firmave kosovare në sektorët e gatshëm për zhvillim të veshmbathjeve, përpunimit të drurit, TIK-ut, energjisë së ripërtëritshme, turizmit dhe përpunimit të metaleve. Deri më sot, 24 kompani kanë fituar nga ky projekt nëpërmjet trajnimeve, panaireve, ngjarjeve B2B (biznesi me biznes) dhe aktiviteteve promovuese të tjera.

LINKS

Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube

Last updated: June 22, 2018

Share This Page