Bursistët Kosovar Studiojnë në Sh.B.A. për të Forcuar Shoqërinë Civile në Shtëpi

Speeches Shim

Bursistët Kosovar Studiojnë në Sh.B.A. për të Forcuar Shoqërinë Civile në Shtëpi
Bursistet e USAID-it në veprim
USAID
Aktivistët themelojnë organizatë jofitimprurëse për të avancuar demokracinë
“Kur u ktheva në Kosovë verën e kaluar, fillova të mendoj lidhur me përvojën time në Shtetet e Bashkuara dhe si do të mund ta shfrytëzojoja atë për të përmirësuar gjendjen aktuale në Kosovë.”

Qershor 2016 – Aktivistët kosovar janë duke marrë ndihmë të çmueshme për të bërë ndryshime në vendin e tyre dhe për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin demokratik. 

Gjatë kohës kur Valmir Ismaili ishte duke studiuar për administratë publike në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një programi të USAID-it, nga shtatori i vitit 2014 deri në maj të vitit 2016, atij i ra në mend idea për të krijuar një organizatë të shoqërisë civile në Kosovë.

“Unë kam punuar për 10 vite në shoqërinë civile, para Programit të Lidershipit Transformues të USAID-it,” tha Ismaili. “Kur u ktheva në Kosovë verën e kaluar, fillova të mendoj lidhur me përvojën time në Shtetet e Bashkuara dhe si do të mund ta shfrytëzojoja atë për të përmirësuar gjendjen aktuale në Kosovë. Idea për Demokracinë Plus filloi pas bisedave me miqtë të cilët ndajnë vlera të ngjashme.”

Programi u ofron kosovarëve bursa për studime të nivelit Master, duke u mundësuar atyre ndjekjen e shkollimit të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe duke rritur kështu numrin e profesionistëve të arsimuar që do të forcojnë tranzicionin dinamik të Kosovës drejt një ekonomie të tregut të lirë ku mbizotëron demokracia.  

Ismaili dhe dy aktivistë të tjerë të Kosovës themeluan Demokracinë Plus (D+), një organizatë kjo jofitimprurëse e pavarur, në mars të vitit 2016. Kjo organizatë punon në një gamë projektesh në fusha të ndryshme si qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, të drejtat njerëzore, çështjet sociale, zgjedhjet dhe partitë politike.

Në shtator të vitit 2015, pas kthimit në Shtetet e Bashkuara për të përfunduar studimet Master, Ismaili udhëtoi në pjesë të ndryshme të vendit dhe diskutoi rreth D+ me studentët tashmë të diplomuar të programit të USAID-it. Roberta Osmani, Isuf Zejna, dhe Ngadhnjim Halilaj, më pas i’u bashkuan Valmirit dhe bashkëthemeluesve të tij të D+.

“Takimi ynë i parë u zhvillua përmes Skype-it, sepse ne të gjithë ende ishim të shkapërderdhur anembanë Shteteve të Bashkuara,” tha Osmani. Në atë kohë, Osmani gjendej në Universitetin e Indianës në Blumington, Ismaili ishte në Çikago pranë Institutit të Teknologjisë të Illinoisit, Zejna gjendej në Universitetin e Pitsburgut në Pitsburg, ndërsa Halilaj ende ishte kandidat për Master pranë Universitetit të Illinoisit Verior.

Përmes programit të USAID-it, katër të diplomuarit e tij fituan përvoja të çmueshme, si nga aspekti profesional ashtu edhe nga aspekti i krijimit të lidhjeve dhe kontakteve, të cilat në fund ndihmuan në formësimin dhe udhëheqjen e nisjes së organizatës së tyre të re.  

“Unë u diplomova nga Universiteti i Pitsburgut me një Master në fushën e të drejtës komerciale, dhe ky shkollim më dha një grumbull shkathtësish shumë të transferueshme, qoftë nëse punoj në sektorin jofitimprurës apo në drejtësi. Etika ime e punës, menaxhimi i kohës, dhe shkathtësitë hulumtuese, të gjitha këto më kanë ndihmuar që të bëj punën të cilën dëshiroj ta bëj,” thotë Zejna.

Me ekip prej gjashtë antarëve me orar të plotë, ku secili prej tyre posedon një gamë përvojash ndërkombëtare, Demokracia Plus kombinon ekspertizën profesionale dhe shkathësitë e larta teknike me ide të freskëta, inovative dhe etikë të fuqishme të punës. Kjo organizatë i jep përparësi të lartë gjithpërfshirjes shoqërore në të gjitha projektet e saj. Në thelbin e saj, Demokracia Plus synon që të bëhet model për pjesëmarrjen e qytetarëve në demokraci.  

Programi i Lidershipit Transformues – Bursat dhe Partneritetet, program ky pesëvjeçar i USAID-it, ka për qëllim t’u sigurojë kosovarëve çasje në arsimim të avancuar, zhvillim të lidershipit, dhe ndihmë teknike. Në kuadër të këtij programi, i cili filloi në vitin 2014, USAID-i ka ndarë 185 bursa për studime Master dhe 55 bursa për çertifikim professional.

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube

Last updated: October 09, 2018

Share This Page