Personat me aftësi të kufizuara fitojnë qasje më të mirë në procesin politik në Kosovë

Përfshirja e të gjithë zërave
Mentor Mehmeti nga Skenderaj paraqet një plan të avokimit gjatë një punëtorie të trajnimit për organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara
Instituti Demokratik i Kosovës
Zyrtarët zgjedhor mësojnë nga dora e parë mbi sfidat e votimit
“Është një ndjenjë e pamundur për ta shprehur për mua kur kam mundësinë që t’i jap diçka shoqërisë. Ne kemi nevojë për pro-jekte të tilla që na bëjnë më të pavarur, na motivojnë për t’i kontribuar shoqërisë dhe për të ndryshuar jetët tona.”

Tetor 2015 - Vlerësohet se rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara (PAK) në Kosovë përballen me pengesa të mëdha kur është në pyetje pjesëmarrja në procesin politik, në veçanti nga aspekti i qasjes, si në informata ashtu edhe në infrastrukturë. Mirëpo këto pengesa tani po largohen.

Për Zgjedhjet për Kuvendin Kombëtar të qershorit 2014, USAID-i përmes projektit të tij Zbutja e Dhunës në Proceset Zgjedhore, angazhoi në terren 230 PAK për të vëzhguar qasjen në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Kjo përfshinte jo vetëm votimin në ditën e zgjedhjeve, gjë që ishte një arritje në vete, por edhe një program që mund të shërbejë si pikë referimi – i pari i llojit të vet në botë – përmes së cilit u vëzhguan fushatat politike paraprake. Ky projekt implementohet në partneritet me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore dhe dy organizata vendore, HandiKOS dhe Institutin Demokratik të Kosovës.

Në 93 përqind të rasteve të vëzhguara gjatë fushatës nuk kishte fare qasje për persona me aftësi të kufizuara fizike, ndërsa në vetëm 10 përqind të tyre janë përmendur të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Poashtu, materialet e fushatës zgjedhore nuk ishin në dispozicion në formatet e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara të të pamurit dhe dëgjimit. Pothuajse gjysma e vendvotimeve të vëzhguara nuk kishin qasje për karroca invalidore, ndërsa asnjë nga kabinat e votimit në cilindo vendvotim nuk mundësonte qasje të papenguar për personat në karroca invalidore. Megjithë angazhimin e një personeli të përkohshëm i cili numëronte 19.000 veta, vetëm 0.03 përqind e tyre ishin PAK, përkundër ligjit në Kosovë i cili obligon që së paku 2 përqind e të gjithë të punësuarve në organizatat publike dhe private të jenë PAK.

Për shkak të këtyre statistikave dëshpruese, pas përfundimit të zgjedhjeve USAID-i organizoi punëtori për zyrtarët komunal të zgjedhjeve. Për herë të parë në Kosovë, zyrtarët zgjedhorë dhe organizatat e shoqërisë civile të cilat udhëheqen nga dhe për PAK, u ulën së bashku për të diskutuar lidhur me mundësitë e arritjes së pjesëmarrjes së plotë zgjedhore.

Këto punëtori përfshinin edhe votimin e simuluar: zyrtarët komunal të zgjedhjeve, me sy të lidhur dhe duke përdorur qoftë karroca invalidore apo mjete tjera ndihmëse për lëvizje, votonin në vendvotime ku personeli përbëhej nga PAK – një herë në lokacionin e përshtatur për të lehtësuar qasjen, ndërsa herën tjetër në lokacionin i cili pasqyron gjendjen aktuale në Kosovë. Megjithëse ky proces fizik ishte mjaft vetëdijësues për zyrtarët zgjedhor, mësimi më befasues që ata morrën me këtë rast ishte shkalla e lartë e ndikimit të qëndrimeve negative ndaj PAK në vendimin e tyre për të mos votuar fare.

Si rrjedhojë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u dakordua me nevojën për ridizajnimin e pajisjeve të votimit, përgatitjen e hartave të vendvotimeve të cilat kanë qasje për personat me aftësi të kufizuara, dhe përmirësimin e trajnimit të personelit të vendvotimeve.

Më tutje, fuqizimin e antarëve të organizatave të cilat punojnë me PAK në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre, organizimin e punëtorive të trajnimit për avokim, me mbështetjen e USAID-it, për përfaqësuesit e organizatave vendore të cilat avokojnë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fizike, pamore, dëgjimore dhe intelektuale. Përmes një programi interaktiv njëditor, 150 pjesmarrës ushtruan zhvillimin e një strategjie avokimi, organizimin e një konference për shtyp dhe përgatitjen e një deklarate për medie.

Përveç kësaj, po bëhet shpërndarja e një doracaku, tek të gjitha organizatat e PAK në Kosovë, i cili ofron këshilla praktike lidhur me sigurimin e lajmeve që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara që botohen apo emetohen në mediet masive. Me këto shkathtësi të fituara, PAK do të jenë në gjendje që të lobojnë institucionet publike për t’u dhënë prioritet më të lartë çështjeve që janë me interes për ta.

USAID-i gjithashtu rishtazi lehtësoi arritjen e një marrëveshjeje në mes të Komisionit Qëndror Zgjedhor dhe organizatave prijëse të PAK përmes së cilës Komisioni do të vej theksin në mundësitë e barabarta për punësim të personelit për zgjedhjet e ardhshme. Krahas kësaj, partitë politike nënshkruan një deklaratë ku zotohen se do të përfshijnë më shumë gra në procesin politik, përfshirë edhe gratë me aftësi të kufizuara.

Këto aktivitete po shpiejnë drejt një mjedisi më të mirë për sigurimin e përfshirjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe PAK, në jetën publike dhe çdo fazë të procesit zgjedhor.

“Është një ndjenjë e pamundur për ta shprehur për mua kur kam mundësinë që t’i jap diçka shoqërisë,” thotë Shpend Krasniqi kur përshkruan përvojën e tij si vëzhgues i qasjes për persona me aftësi të kufizuara gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin Kombëtar të vitit 2014 në Kosovë. “Ne kemi nevojë për projekte të tilla që na bëjnë më të pavarur, na motivojnë për t’i kontribuar shoqërisë dhe për të ndryshuar jetët tona.”

Projekti i USAID-it Zbutja e Dhunës në Proceset Zgjedhore, i cili po zhvillohet nga qershori i vitit 2014 dhe do të zgjasë deri në korrik të vitit 2016, është i dizajnuar për të përmirësuar përfshirjen e grupeve të margjinalizuara, në radhë të pare grave, në sistemet zgjedhore.

LINKS

Last updated: January 16, 2018

Share This Page