USAID-i kontribon 1.1 milion dollarë amerikan në mbështetje të masave që po merr Kosova kundër përhapjes së mëtejme të COVID-19

Për Shpërndarje të Menjëhershme

E mërkurë, 15 prill, 2020
Xheraldina Cernobregu

PRISHTINË, 15 PRILL 2020 – Më 26 mars, Sekretari i Shtetit i Sh.B.A-ve, Michael R. Pompeo, paralajmëroi një rritje të konsiderueshme të kontributit të Shteteve të Bashkuara ndaj masave që po merren në nivelin global kundër pandemisë COVID-19. Në kuadër të kësaj nisme, Agjencia e Sh.B.A-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do t’u kontribuojë me 1.1 milion dollarë amerikan masave që po merr Republika e Kosovës (RKS) kundër përhapjes së mëtejme të COVID-19.

“Qëndrueshmëria e popullit të Kosovës si dhe guximi dhe përkushtimi i ofruesve të shërbimeve shëndetësore në Kosovë por edhe i ofruesve tjerë të ndihmës së parë, kanë qenë të jashtëzakonshëm. Bashkërisht ne mund ta mposhtim COVID-19. Amerika po i qëndron pranë Kosovës," deklaroi Ambasadori i Sh.B.A-ve në Kosovë Philip. S. Kosnett. 

Përmes kësaj ndihmë emergjente, USAID do të sigurojë mbështetje operacionale dhe do të rrisë aftësinë reaguese të Kosovës për të parandaluar përhapjen e mëtejme dhe për të zbutur pasojat e COVID-19.

Anembanë globit, Shtetet e Bashkuara po udhëheqin masat që po merren në nivelin global dhe po mbështesin vendet e prekura nga COVID-19. Ne po punojmë drejtpërdrejt me qeveritë vendore, organizatat multilaterale, OJQ-të, sektorin privat dhe organizatat tjera që po marrim masa në terren për të luftuar pandeminë. Kjo përfshin punën me punëtorët e vijës së parë për të ngadalësuar përhapjen, kujdesur për të prekurit dhe pajisur komunitetet lokale me mjetet e nevojshme në luftën kundër COVID-19. Puna e vendosur e USAID-it që po shpëton jetëra do të vazhdojë edhe më tutje. Ne jemi duke monitoruar situatën në Kosovë dhe po planifikojmë ndihmë shtesë sipas nevojës.

Qeveria e Sh.B.A-ve ka investuar, kryesisht përmes USAID-it, më shumë se 10 milion dollarë amerikan në ndihmë shëndetësore për Kosovën gjatë 20 viteve të fundit.

Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë siguruesi më i madh në botë i ndihmës bilaterale në shëndetin publik. Nga viti 2009, tatimpaguesit amerikan zemërgjërësisht kanë vënë në dispozicion më shumë se 100 miliardë dollarë amerikan në ndihmë shëndetësore dhe afro 70 miliardë dollarë amerikan për nevoja të ndihmës humanitare në nivel global. Kjo zemërgjerësi është shprehur përmes kontributeve tona ndaj disa partnerëve multilateral, përfshirë:

·         Kontributet e Sh.B.A-ve për OBSH-në gjatë vitit 2019, të cilat tejkaluan shumën prej 400 milion dollarë amerikan, pothuajse dyfishi i kontributit të vendit.  

·         Mbështetja nga Sh.B.A-të për Agjencinë e Refugjatëve të OKB-së (UNHCR) është e pakonkurrencë, me afro 1.7 miliard dollarë amerikan të kontribuar gjatë vitit 2019. Kjo përkrahje është kritike për mëtutje pasi që popullata refugjate është veçanërisht e cenueshme nga pandemia COVID-19.

·        Shuma e gjithmbarshme e kontributeve të Sh.B.A-ve Fondit të Fëmijëve të OKB-së në vitin 2019 arriti në mbi 700 milion dollarë amerikan. Aktivitetet shpëtuese të jetërave që UNICEF-i po bën për vite me radhë - siç janë fushatat e imunizimit si dhe trajnimet dhe asistenca për mirëmbajtje të shëndetit aplikim të masave sanitare - do të shpëtojnë jetëra gjatë kohës që po luftojmë kundër këtij patogjeni të rrezikshëm.

Duke qenë se kërcënimi i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse kudo mund të jetë një kërcënim gjithandej, Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje donatorëve të tjerë që t’u kontribuojnë përpjekjeve globale për të luftuar COVID-19.

Last updated: May 22, 2020

Share This Page