TË RINJTË ANGAZHOHEN NË MËNYRA KREATIVE GJATË QËNDRIMIT NË SHTËPI

E premte, qershor 19, 2020
Të rinjët ofrojnë këshilla për argëtim derisa jemi në shtëpi
Rrezarta Krasniqi, Gllobal Komjunitis për USAIDKosovo

Të rinjtë anembanë Kosovës po gjejnë mënyra kreative se si t’i përmbahen udhëzimeve për distancim social, por vetëm në aspektin e distancimit fizik. Ata po mbajnë kontakte me bashkëmoshatarët e tyre duke i ofruar mbështetje virtuale njëri-tjetrit për ta parandaluar ndjenjën e izolimit. Në mënyrë që këto ide kreative të vijnë në pah dhe të ndahen me të tjerët, aktiviteti i USAID-it Up to Youth inkurajoi pjesëmarrësit e saj që të konkurojnë në një garë përmes internetit për të shkëmbyer idetë sa më kreative se si po e kalojnë kohën e lirë gjatë pandemisë. Të rinjtë e moshës 15 - 24 vjeç nga nëntë komunat partnere u përfshinë tërësisht në garë duke prezantuar më shumë se 200 ide.

Idetë fituese përfshinin përdorimin e mediave sociale për fushata të të rinjëve, siç ishte ideja e Leonora Gashit nga Klina, ose përdorimin e aplikacioneve për kuize për t’u argëtuar me familjen dhe shoqërinë siç na rekomandojnë Lorik Sahiti nga Vitia dhe Altiana Zogaj nga Istogu. Diarta Jashari nga Mitrovica e Jugut na sugjeron të përdorim aplikacione për video konferenca për organizimin e klubeve të leximit on-line, karaoke dhe për lojëra me miq. Ajo thekson, "Kjo ju ndihmon që t’i mbani kontaktet me miqtë, të disponoheni dhe në të njëjtën kohë ta mbani distancën."

Derisa shumë nga pjesëmarrësit e garës propozuan mënyra virtuale kreative për të mbajtur kontaktet, një nga fitueset na sugjeron një aktivitet më real duke përdorur shishe, kuti ose kavanoza për të krijuar një kapsulë kohore. Albenita Vorfi nga Gjakova na rekomandon që ta mbushim kapsulën e kohës me kujtimet tona, siç janë fotografitë apo shënimet dhe ta groposim atë në oborr ose ta fshehim diku brenda shtëpisë. Albenita shton, "Pas një ose më shumë viteve e hapni kapsulën së bashku me kujtimet që po ju presin. Kapsula e kohës është kujtesë, një dhuratë nga e kaluara për të ardhmen”.

Aktiviteti Up to Youth i USAID-it ndau idetë fituese – së bashku me tërë idetë tjera të prezantuara në garë - me të gjithë të rinjtë pjesëmarrës të aktivitetit. Qoftë përmes shembujve apo inkurajimit, të rinjtë shpesh ndikohen thellësisht nga bashkëmoshatarët e tyre. Garat përmes internetit sikur kjo, jo vetëm që u ofrojnë të rinjëve ide të dobishme dhe qasje pozitive se si të ndjehen më afër njëri tjetrit në mungesë të prezencës fizike, por gjithashtu i ndihmojnë ata t’i ndajnë ndjenjat dhe përvojat e tyre duke e siguruar njëri-tjetrin se të gjithë ne po kalojmë nëpër të njëjtën gjë.

Last updated: August 12, 2020

Share This Page