LEGJISLACIONI PËR NDËRTESA PA LEJE I TEJKALON ME SUKSES SFIDAT

E premte, qershor 19, 2020
Grupi Kordinues i Legalizimit diskuton onlajn
Kreshnik Kurtishi, Chemonics International Inc. per USAID Kosovo

Sektori publik në Kosovë vazhdon të tregojë angazhimin e tij për t'u shërbyer qytetarëve duke vazhduar aktivitetet gjatë pandemisë globale. Që nga hyrja në fuqi e masave në mes të muajit mars për të parandaluar përhapjen e COVID-19, qeveritë qendrore dhe komunale janë duke punuar me ndërrime ndërmjet punës në zyrë dhe punës nga distanca. Përkundër këtyre sfidave në operacione, dy komunat partnere të USAID-it, Prishtina dhe Graçanica, kanë nisur legalizimet e para të ndërtimeve pa leje gjatë kësaj periudhe. Deri më tani, ato kanë përfunduar legalizimin e 108 ndërtesave, 95 në Prishtinë dhe 13 në Graçanicë, duke hedhur kështu bazat për një zgjerim të shpejtë të procesit pas rifillimit të lëvizjeve të qytetarëve dhe heqjes së kufizimeve operative të qeverisë.

Legalizimi i ndërtimeve pa leje është në dobi të qytetarëve të Kosovës, pasi që siguron qasje të plotë në përfitime dhe mbrojtje të të drejtave pronësore. Zbatimi i tij i lejon qytetarët dhe bizneset të përdorin ndërtesat e legalizuara si kolateral për të siguruar qasje në financat më se të nevojshme për nxitjen e rritjes ekonomike.

Zijadin Ibrahimi nga Prishtina e shpjegon rëndësinë e legalizimit të shtëpisë së tij, "Për mua, legalizimi është mjaft i rëndësishëm sepse do të thotë që unë dhe bashkëshortja ime, si pronarë të përbashkët, tani i kemi dokumentet për të dëshmuar pronësinë tonë. Meqenëse jemi të dy në moshë të shtyrë, ne duam të sigurohemi që fëmijët tanë të mos kenë probleme me trashëgiminë në të ardhmen. "

Për të siguruar që programi i legalizimit do të menaxhohet në mënyrë efikase edhe gjatë pandemisë, USAID-i ndihmoi Ministrinë e Ambientit dhe Infrastrukturës (MAI) për përfundimin e një mjeti kombëtar për përcjelljen elektronike që i lejon komunat të ndjekin zbatimin e procesit të legalizimit. Ata gjithashtu hartuan plane të përbashkëta veprimi për zbatim në Prishtinë dhe në Graçanicë dhe finalizuan planet për një fushatë në dy komunat partnere pasi të zgjidhet urgjenca shëndetësore publike. Për më tepër, përkundër operacioneve të kufizuara, komunat e Kosovës po vazhdojnë të parashtrojnë pyetje mbi procesin e legalizimit. Mbështetja nga USAID-i ndihmon MAI-së që të koordinohet me komunat për përcaktimin e përgjigjeve që janë në përputhje me kornizën ligjore dhe udhëzimet rreth legalizimit.

Ndërsa përpunimi i aplikacioneve të pranuara më parë vazhdon gjatë pandemisë, është inkurajuese që Prishtina dhe Graçanica, të dyja komuna partnere në programin e USAID-it për Qeverisjen Ekonomike, vazhdojnë të pranojnë aplikime të reja nga qytetarët, megjithëse me një normë të zvogëluar. Legalizimi i ndërtesave pa leje është vetëm një shembull i qëndrueshmërisë dhe suksesit të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës përkundër mjedisit sfidues shëndetësor dhe politik.

Last updated: July 27, 2020

Share This Page